Në Maqedoni gjatë natës së kaluar janë shënuar së paku tre incidente ndërnetike, dy në Shkup dhe një në Tetovë, informon MPB-ja, pa treguar identitetin e personave të përfshirë në to.

Kryeshefja e policisë Gordana Jankullovksa, para Komitetit për marrëdhënie ndëretnike në Parlament, tha se prej fillimit të vitit në Maqedoni janë shënuar 25 incidente.

Duke folur për rrahjen e para dy ditëve të nxënësve ajo tha se se disa persona të dyshuar janë marrë në pyetje, ndërsa po vijon proçesi hetimor për zbardhjen e plotë të këtij incidenti.

“Dua t’ju informoj se nga fillimi i vitit janë regjistruar gjithësej 25 incidente në teritorin e Maqedonisë, në segmentin që i dedikohet rendit publik. Janë sulmuar 40 persona, nga të cilët lëndime trupore kanë marrë 38. Karakteristike është se mes e 38 perosnave të lënduar ka pjestarë të të gjitha etnive. Shumica e incidenteve janë shënuar në autobusët urbanë dhe në afërsi të shkollave”, deklaroi Jankullovska.

Mbledhja e jashtëzakonshme e Komitetit për marrëdhënie ndëretnike, e thirrur për të diskutuar për situatën e fundit, ku u kërkua zbardhja e incidenteve, është shoqëruar me debate të ashpra. Deputetët e PDSH-së braktisën mbledhjen, të pakënaqur nga puna e Komitetit.

“Shihet një ngelizhencë totale prej deputetëve të shumicës, prej vetë kryetares në fjalimin hyrës, por sidomos prej ministres, e cila nuk e pa të arsyeshme të na sjellë një informacion të detajuar e të shkruar. Për këtë arsye grupi parlamentar dhe dy anëtarë të PDSH-së do të braktisin punën e këtij komiteti. Ne nuk duam të bëhemi pjesë e maskraradës, pjesë e vrasjeve dhe poshtërsive ndaj shqiptarëve”, deklaroi deputeti Orhan Ibrahimi.

“Mua më vjen keq që PDSH e shfrytëzoi hapsirën e sotme dhe uzurpoi minutazhin e të gjithë deputetëve dhe në fund deputetët e saj konstatuan se nuk duan të jenë pjesë  e ndonjë maskarade. Në fakt, sjellja e tyre dëshmoi sot se kush janë autorët e maskaradës dhe kush në të vërtetë janë të përkushtuarit për të kontribuar në normalizimin e gjendjes”, deklaroi nga ana tjetër deputetja Ermira Mehmeti, nga radhët e BDI-së.

Situatën e fundit e kanë shqyrtuar edhe kryesitë e dy partive shqiptare në Maqedoni. BDI në pushet ka bërë thirrje që të gjithë faktorët të japin kontributin e vet për të ndërprerë këtë cikël incidentesh që mund të rrezikojnë stabilitetin e vendit.

Partia Demokratike Shqiptare në opozitë fajsoi qeverinë për incidentet ndëretnike. Sipas PDSH-së, partia shqiptare në pushtet ka humbur legjitimitetin e shqiptarëve.

Partia e Thaçit kërkoi dorëheqjen e ministres së Brendshme, Gordana Jankullovska dhe zëvendësit të saj, Xhelal Bajrami. Kjo parti po ashtu kërkoi ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar por edhe të Tiranës dhe Prishtinës për tejkalimin e kësaj situate.

PS: Dhunimi i nxënësve, akt kriminal

Partia Socialiste e Shqipërisë denon ashpër sulmin ndaj nxënësve shqiptarë në Shkup.

“Dhunimi i nxënësve shqiptarë, të sulmuar e të rrahur në mënyrën më barbare për arsyen e vetme se janë shqiptarë, përbën padyshim jo vetëm një akt të papranueshëm kriminal, por edhe një sinjal alarmi për të gjithë ata që të ardhmen e rajonit tonë e shohin në Europë dhe jo në një rikthim tek e shkuara e tensioneve e konflikteve etnike”, thuhet në një deklaratë të Partisë Socialiste.

Sipas selisë rozë, këto incidente duhet të shihen nga të gjithë si një këmbanë alarmi për kanosjen e bashkëjetesës demokratike në Maqedoni.

AK: Të arrestohen grupet terroriste maqedonase

Për këto ngjarje në Maqedoni reagoi më herët edhe Aleanca Kuqezi, e cilia sot kishte edhe njëvjetorin e krijimit. Në një deklaratë kërkohet që partitë shqiptare në vendin fqinj të solidarizohen me situatën.

“Dhuna ndaj nxënësve shqiptarë është një provokim etnik që duhet dënuar, ndaj kërkojme arrestimin e “grupeve terroriste maqedonase””, siç i cilësuan ata të rinjtë që ushtruan dhunë.

“Zgjohu”: Të dënohen autorët

Ndaj ngjarjes së rëndë reagoi edhe lëvizja qytetare “Zgjohu”, e cila shprehu trishtimin e saj për këtë ngjarje brutale.

“Jemi të trishtuar nga incidenti ku 15 nxënës shqiptarë u rrahën brutalisht. Solidarizohemi me familjet e fëmijëve dhe kërkojmë zbardhjen e ngjarjes sa më shpejt”, deklaroi “Zgjohu”.

Lëvizja kërkoi që të dënohen “kriminelët që sulmojnë nxënës të pafajshëm dhe të pambrojtur”, ndërsa theksoi se ngjarja ndodhi pikërisht në ditën kur shqiptarët festuan 125 vjetorin e shkollës së parë shqipe.

Ngjarja në Shkup


Ngjarja e rëndë
ndodhi pasditen e së mërkurës në kryeqytetin e Maqedonisë, ku 15 nxënësit shqiptarë u rrahën barbarisht.

Ngjarja ndodhi në autobusin që transportonte nxënësit e fshatit Çiflik, ku hynë me forc ë 20 persona të maskuar, të cilët rrahën fëmijët.

Kjo ngjarje erdhi fill pas një tjetër episodi me karakter etnik të ndodhur pak ditë më parë në vendin fqinj, atij të vrasjes së dy shqiptarëve nga policia maqedonase në qytetin e Gostivarit, ngjarje kjo që shkaktoi reagimin e popullatës shqiptare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA