58 zyrtarë tentuan të “pastroheshin”

09/03/2012 08:15

Ligji kishte përcaktuar qartë rastet se kush përfitonte nga e drejta e amnistisë fiskale, duke i ndarë në kategori.

Midis subjekteve që nuk kishin të drejtë të legalizonin të ardhurat e fshehura, pra të padeklaruara në shtet ishin edhe ata zyrtarë të administratës publike, që janë pjesë e kontrollit të deklarimit të pasurisë.

Siç risolli në vëmendje e përditshmja “Shqip” në numrin e saj të së premtes, neni 6 i ligjit e kushtëzon pjesëmarrjen në amnistinë fiskale të kësaj kategorie, e cila mund të jetë e përfshirë në aktivitet privat dhe kërkon të përfitojë nga falja e gjobave dhe penalizimeve, afat i cili mbyllet tani në fund të muajit mars.

Gjatë inspektimit të kryer në procesin e faljes, komisionet e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave kanë konstatuar raste subjektesh, të cilët tentuan të ishin pjesë e amnistisë, por njëkohësisht, drejtuesit e këtyre bizneseve kishin funksione edhe në shtet apo të afërmit e ngushtë të tyre (familja).  

Zv/drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Qazim Merlika, thotë se, 58 subjekte kanë tentuar të legalizojnë të ardhurat dhe të përfitojnë nga falja e gjobave, por janë ndaluar pasi kishin detyrimin e deklarimit në ILDKP (Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë).

Dogana nuk jep detaje rreth vlerës monetare që u tentua të “pastrohej” dhe për cilat raste bëhej fjalë, ndoshta duke pasur parasysh faktin se ligji i amnistisë fiskale parashikon ruajtjen e konfidencialitetit, por nga ana tjetër mund të shërbejë si burim për prokurorinë (dhe/apo ILDKP-në) për hetime të mëtejshme.

Zyrtarët e administratës dhe amnistia fiskale ishte kapitull që shkaktoi debate mes ekspertëve dhe Ministrit, në prag të miratimit të ligjit.

Kreu i Financave ishte kategorikisht kundër që zyrtarët, pjesë e deklarimit të pasurisë, të përfitonin nga amnistia, ndërsa disa ekspertë ishin pro, duke e lidhur me të shkuarën e individit që mund të ketë punuar në privat etj.

Pas miratimit të ligjit në maj 2011, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dorëzoi pranë institucionit të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR) listën me emrat e zyrtarëve të shtetit, duke nisur nga Presidenti, Kryeministri dhe ministrat, e deri në rang drejtorësh, sipas përcaktimeve që jep ligji.

Lista përmban 4612 persona, të cilët u verifikuan nëse kishin konflikte interesi apo janë të lidhur me subjektet private.
Brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi të këtij ligji, ILDKP i ka dërguar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, bashkive dhe komunave, Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit, si dhe QKR listën e zyrtarëve, të cilët kanë detyrimin për deklarim të pasurisë për periudhën e zbatimit të ligjit.

Më tej, lista e dërguar nga ILDKP-ja përpunohet nga QKR-ja për të evidentuar personat juridikë, në të cilët këta zyrtarë kanë aksione apo kuota kapitali dhe harton një listë të dytë me emrat e këtyre personave juridikë.

Subjekte të ILDKP-së janë Presidenti, deputetët, Kryeministri, ministrat e zëvendësministrat, si dhe nëpunësit civilë të nivelit të lartë dhe të mesëm drejtues.

Gjithashtu, nga amnistia përjashtohen krerët e njësive vendore, drejtorët e drejtorive dhe komandantët e Forcave të Armatosura, prokurorët, gjyqtarët dhe përmbaruesit e të gjitha niveleve, si dhe drejtuesit e institucioneve të pavarura publike etj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA