Sudani mohon akuzat për genocid

08/03/2012 15:50

Sudani hodhi poshtë spekulimet se është duke kryer krime kundër njerëzimit dhe masakra në krahinën e Kordofanit të Jugut.

Mukesh Kapila, antar i një grupi për të drejtat e njeriut, dëshmoi për mediat ndërkombëtare se kishte parë avionë qeveritarë duke bombarduar fshatra të ndryshëm dhe se qindra persona të terrorizuar gjenin shpëtim vetëm në shpella apo gropa të improvizuara.

Khartumi zyrtar pranon faktin që në zonë po kryhen krime kundër njerëzimit, por sipas tyre, diçka e tillë është duke u realizuar nga rebelët e mbështetur prej Sudanit jugor.

Kordofani i Jugut është një prej tre krahinave të përfshira në një konflikt të përgjakshëm që kur Sudani i Jugut shpalli pavarësinë e tij në korrik 2011. Abei dhe krahina e Nilit Blu shtrihen gjithashtu në kufirin midis dy shteteve, një kufi që Sudani e kontenston.

Pavarësisht mohimit zyrtar, ekzistojnë dyshime të forta se Sudani është duke iu rikthyer një genocidi të ngjashëm me atë të Darfurit, ku mbi 500 mijë banorë, pjestarë të një pakice etnike, u vranë mizorisht në harkun kohor të disa viteve.

Sudani, i cili më parë është vendosur edhe në listën e zezë të shteteve që ndihmojnë terrorizmin, nuk lejon agjensitë humanitare të vizitojnë jugun e vendit, ku ndiqet sistematikisht politika e lënies së qindra mijëra banorëve që të vdesin nga uria.

Organizata e Kombeve të Bashkuara i ka bërë thirrje të përsëritura Sudanit dhe Sudanit të Jugut që të ndërpresin dhunën kufitare dhe t’i përmbahen paktit të mossulmimit, të firmosur në datën 10 shkurt.

Pavarësisht një marrëveshje paqe të firmosur në vitin 2010, konflikti në Darfur vazhdon tashmë prej një dekade, ndërsa dhuna në Kordofan vazhdon të intensifikohet prej disa muajsh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA