
Gjykata e Lartë e Pakistanit ka urdhëruar qeverinë e vendit që t’u
kërkojë autoriteteve zvicerane të rihapin çështjen për korrupsion ndaj
presidentit Asif Ali Zardari.
Çështja është në qendër të kritikave të ashpra ndaj kryeministrit Yousuf Raza Gilani, që akuzohet se ka dështuar në hetimin e akuzave.
Nga ana e saj qeveria ka argumentuar se zoti Zardari gëzon imunitet presidencial, ndërkohë që vetë kreu i shtetit e ka vlerësuar çështjen si të motivuar politikisht.
Megjithatë, Gjykata e Lartë ka deklaruar se një raport duhet të përgatitet brenda datës 21 mars. Gjykata më herët azhornoi një seancë dëgjimore me kryeministrin më 21 mars, duke deklaruar se Gilani duhet të hartojë një deklaratë ose të dëshmojë personalisht atë ditë.
Korrespondentët e mediave ndërkombëtare thonë se duke siguruar që të dyja çështjet do të trajtohen në të njëjtën ditë, gjykata ka kufizuar opsionet ligjore të kryeministrit.
Zoti Gilani po gjykohet për shpërfillje për shkak se ai ka refuzuar t’u dërgojë një letër autoriteteve zvicerane pavarësisht një urdhëri të Gjykatës së Lartë, që shfuqizoi një amnisti për rastet e korrupsionit.
I dërguari i BBC në Islamabad deklaroi se vendimi gjyqësor i së enjtes ka gjasa të rrisë edhe më tej tensionet mes qeverisë dhe sistemit gjyqësor.
Shumë qytetarë në Pakistan pyesin veten nëse kjo është një luftë pushteti mes dy sistemeve shtetërore, ose një betejë për të siguruar zbatimin e ligjit.
Top Channel