Kalvari i vuajtjeve të ish të përndjekurve

08/03/2012 00:00

Amnistia që nxorri nga burgjet e komunizmit të gjithë të burgosurit politikë, ishte për ta pikënisja e një kalvari tjetër shumë të gjatë i cili ende nuk është mbyllur.

Shumë prej tyre nuk kanë asnjë shtëpi, nuk janë dëmshpërblyer ende për vitet e burgut dhe për këtë vijojnë të protestojnë. Kauza e tyre e anti-komunizmit u përdor, emra që spikatën në atë kohë sapo dolën nga burgjet si Spartak Ngjela apo Fatos Lubonja u mbajtën larg nga mazhoranca e djathtë e drejtuar nga Berisha.

Greva e të burgosurve politikë në vjeshtën e vitit 1991 nxiti edhe kryetarin e PD në atë kohë të merrte në dorë flamurin e anti-komunizmit. Parlamenti miratoi statusin për të përndjekurit që rehabilitonte ata moralisht, por jo financiarisht.

Në zgjedhjet e marsit të vitit 1992, Berisha dhe Partia Demokratike doli me parullën bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë, që synonte mostrembjen e së majtës së papërlyer me krimet e komunizmit.

Nën këtë moto shqiptarët votuan në shumicë absolute PD dhe Berisha u bë presidenti i parë i zgjedhur nga një shumicë prej më shumë se 94 vota në Kuvend. Me Paketën Kushtetuese miratuar gjatë qeverisjes së përbashkët me socialistët, ai praktikisht krijoi në vend një regjim presidencial, me fuqi ekzekutive.

Në postet kyçe u vendosën njerëz të afërt me të dhe në disa raste që vinin nga familje me begraund komunist. Të burgosurit politik, të pakënaqur nga qeverisja e tij filluan një grevë urie në vitin 1994, por Berisha ndërhyri energjikisht duke i përçarë ata dhe duke u publikuar shumë prej tyre dosjet që kishin si bashkëpunëtorë.

Fatkeqë në jetën e tyre si të persekutuar, ata ishin dhe pjesa më e prekur që kishte poshtëruar Sigurimi i Shtetit. Petrit Kalakula dhe Abdi Baleta, të cilët në fillim së bashku dhe më pas veç e veç kundërshtuan qendrimin e tij ndaj së djathtës, u përjashtuan.

Por në prag të zgjedhjeve të reja të vitit 1996, ai ndërmori dy nisma të rëndësishme. Formoi një komision intelektualësh për dënimin e genocidit. Në të njëjtën kohë ndërmori dhe hartimin e një ligji për spastrimin e administratës nga njerëz të regjimit të kaluar dhe njerëzit me dosje.

Të persekutuarit dhe të përndjekurit politikë, të cilët mbetën sërish rrugëve, shikonin të PD një shpresë më shumë se tek Partia Socialiste me këtë pakicë të konsoliduar. Pas rikthimit të Berishës në pushtet në vitin 2005 ai kishte shanse të provonte se të përndjekurit dhe ish-pronarët, të cilët i besuan jetës së tij opozitare, do t’i ndihmonte.

Shtatë vjet pasi ka ardhur në pushtet, shume ish të përndjekur nuk janë shpërblyer. Pjesa më e madhe e njerëzve që guxuan të kundërshtojnë diktaturën komuniste dhe të hapnin sytë për të parë errësirën në të cilën ishte zhytur vendi, ende nuk po shohin një zgjidhje e cila nuk do ju kthejë dot rininë e humbur në burgje por të paktën do t’u bënte më të mirë jetën e tyre tani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB