Irani, 6 fuqitë kërkojnë konsensus

08/03/2012 00:00

Gjashtë fuqi botërore do të përpiqen sërish për të arritur një qëndrim
të unifikuar ndaj Iranit, në lidhje me programin e tij bërthamor.

Një takim i agjencisë së OKB-së është azhornuar për ditën e mërkurë në Vjenë, me qëllim për t’u dhënë më shumë kohë vendeve në fjalë për të arritur konsensusin.

Ata janë të ndarë për mënyrën se si duhet të qasen ndaj Teheranit, i cili dyshohet se po zhvillon programin e tij të diskutueshëm me qëllim ndërtimin e armëve bërthamore.

Diplomatët e OKB-së për çështjet bërthamore kanë raportuar për një rritje të shqetësimeve për shkak të një impianti ushtarak iranian, ku dyshohet se po zhvillohet programi.

Pamje satelitore tregojnë se në impiantin ushtarak të Parçinit hyjnë vazhdimisht kamionë dhe pajisje për lëvizjen e tokës, me siguri për të pastruar gjurmët e testeve bërthamore.

Dy diplomatë të ANEB-së thanë për agjencinë e lajmeve “Associated Press”, se Irani mund të jetë duke u përpjekur që të mbulojë testet e një pajisjeje neutronesh, të përdorur për të kryer një shpërthim bërthamor.

Nga ana e tij Irani deklaron se programi i tij bërthamor është tërësisht paqësor, por vendet perëndimore dhe Izraeli druhen se ai po përgatit armë bërthamore.

Tre ditë më parë, presidenti amerikan Barack Obama deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk do të hezitojnë të përdorin forcën kundër Iranit nëse ai tenton të prodhojë armë bërthamore.

Ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se koha për të ndaluar programin bërthamor të Iranit po mbaron dhe paralajmëroi se vendi i tij është i vendosur për ta shmangur një gjë të tillë.

Top Channel