
“Toyota” ka tërhequr 681.500 automjete në Shtetet e Bashkuara, gjë që ka
hedhur në erë përpjekjet e saj për të rindërtuar imazhin pas një sërë
problemesh me sigurinë në vitet e fundit.
Kompania japoneze po tërheq 70.500 makina të modelit “Camry” dhe 116.000 “Venza”, për të rregulluar rrjedhjen e silikonit që mund të shkaktojë probleme në nisjen e makinave.
Ndërsa 495 mijë automjete të tipit “Tacoma” kanë nevojë për riparim të defekteve në timon, të cilat mund të çaktivizojnë jastëkun e ajrit për shoferët. “Toyota” është prodhuesi i tretë më i madh i makinave në botë.
“Aktualisht kompania po merr pjesët e nevojshme të automjeteve. Sapo pjesët e këmbimit të jenë në dispozicion, ne do të njoftojmë pronarët”, ka njoftuar grupi përmes një deklarate.
Tërheqja vjen në një moment kur “Toyota” jo vetëm po përpiqet të rindërtojë imazhin e saj, por edhe të fitojë pozitën e saj në tregjet ndërkombëtare, pas humbjeve që pësoi pas tërmetit dhe tsunamit të vitit të kaluar.
Reputacioni i kompanisë, që dikur njihej për cilësinë dhe sigurinë e automjeteve të saj, pësoi një goditje të rëndë kur tërhoqi 12 milionë automjete në dy vitet e fundit për arsye të ndryshme.
Analistët deklarojnë se pavarësisht se njoftimi i fundit do të dëmtojë kompaninë, ai nuk do të prekë proçesin e rimëkëmbjes së saj.
“Situata për “Toyota” duket negative, sidomos pas problemeve që ka pasur në të kaluarën”, deklaroi për BBC, Hans Greimel, nga “Automotive News”.
Top Channel