Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi të mërkurën se brenda qershorit duhet të përmbushen të gjitha detyrimet që dalin nga pakoja e Ahtisarit, në mënyrë që në shtator të mbyllet proçesi i mbikëqyrjes së pavarësisë.

Duke folur në mbledhjen e kabinetit të tij, Thaçi u kërkoi institucioneve të Kosovës që të kontribuojnë maksimalisht në këtë drejtim dhe njoftoi se, nëse objektivi arrihet, mbyllja e mbikëqyrjes do të bëhet me një ceremoni të veçantë.

Ndër të tjera, kryeministri nënvizoi se një grup pune ka përfunduar tashmë punën me amendimet e Kushtetutës, që kanë të bëjnë pikërisht me mbylljen e këtij proçesi.

Qeveria e Kosovës është tashmë e bindur se përfundimi i proçesit të pavarësisë së mbikëqyrur do të kryhet gjatë këtij viti, pavarësisht problemeve në veri.

Në komunikimin për mediat pas mbledhjes së ekzekutivit, zëvëndëskryeministri Hajredin Kuçi tha se ky proçes nuk mund të mbetet peng i problemeve në zonën me shumicë serbe të Kosovës.

Kuçi theksoi se, për veriun do të gjendet një zgjidhje vetëm në bazë të planit të Ahtisarit, por nuk tha nëse çështja do të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi.

Ndërkohë, lidhur me zgjedhjet lokale serbe, të cilat Beogradi ka paralajmëruar se do t’i shtrijë edhe në Kosovë, Kuçi kërkoi nga qeveria serbe që të sillet në mënyrë evropiane, duke mos ndërhyrë në territorin e Kosovës.

“Nuk është në logjikën e Kosovës që t’u krijojë pengesa të tjerëve, ndërsa të tjerëve u kërkon që të mos i krijojnë pengesa asaj. Kjo është logjika jonë, ky është shteti ynë dhe ky është funksioni ynë. Nuk kemi ndërmend të dëmtojmë rajonin për shkak të veprimeve të të tjerëve”, deklaroi Kuçi.

Edhe bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar vazhdimisht Serbisë që të mos mbajë zgjedhje lokale në territorin e Kosovës, si dhe ka ritheksuar në vazhdimësi rëndësinë e zhbërjes së strukturave paralele.

Por nga ana e tyre zyrtarët serbë kanë njoftuar se zgjedhjet lokale do të mbahen kudo ku këshilltarëve komunalë u ka mbaruar mandati, qofshin ata në veri apo në jug të Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA