Kryeministri britanik David Cameron ka vlerësuar lidershipin e homologut
kosovar Hashim Thaçi për arritjen e marrëveshjes me Serbinë.

Në seancën e Dhomës së Ulët të Parlamentit britanik, Cameron theksoi se me nënshkrimin e marrëveshjes, Kosova ka hyrë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Sipas një komunikate të Parlamentit britanik, të cilës i referohet “RTK”, Cameron ka komentuar edhe dhënien e statusit të kandidatit Serbisë.

“Po të mos i jepej statusi i kandidatit Serbisë, kjo gjë do të inkurajonte ekstremistët atje dhe jo popullsinë që dëshiron një të ardhme paqësore evropiane”, u shpreh Cameron.

Pas tij foli edhe ish-ministri për Evropën, Denis MacShane, njohës i mirë i çështjeve të Ballkanit dhe së fundmi autor i një libri ku flitet gjatë për proçesin e pavarësisë së Kosovës.

“Faza e ardhshme e zhvillimeve politike në Ballkan duhet të jetë pajtimi i Serbisë për njohjen e Kosovës”, tha MacShane.

Më 24 shkurt, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale, me një fusnotë që do të përmbajë rezolutën 1244, vendimin e GJND-së për pavarësinë, si dhe një asteriks.

Kjo çështje kishte shkaktuar ndërprerjen për disa kohë të dialogut, pasi Prishtina insistonte në përfaqësimin e saj si shtet, ndërsa Beogradi këmbëngulte në rezolutën 1244.

Marrëveshja u përshëndet në masë nga faktori ndërkombëtar, si nga shefja e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton, sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, si dhe një seri zyrtarësh të tjerë.

Ajo u kundërshtua ashpër nga opozita kosovare me pretendimin se e kthen Kosovën në kohën kur qeverisej nga UNMIK-u, me një status të papërcaktuar.

Por kongresmeni amerikan Eliot Engel e vlerësoi atë, duke nënvizuar se Kosova do të ketë më shumë përfitime se sa humbje nga nënshkrimi i këtij pakti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA