
Lugina e Preshevës është shpesh pjesë e ankesave dhe tensioneve politike e ndëretnike.
Në jug të Serbisë ku jetojnë shqiptarët ekzistojnë edhe shembuj pozitivë të bashkëpunimit. Në një klub basketbolli nga Bujanoci të rinjtë e kombeve të ndryshme kanë shpresa për sukses. Ia hedhin njëri-tjetrit topin, jo për të parë lëvizjen e tjetrit si kundërshtar, por për të shënuar bashkë. Lojtarët e rinj të klubit të basketbollit “BSK Junior” nga Bujanoci, ku jetojnë shumica shqiptarë, serbët dhe romët kanë shpresa për të qenë në krye të ligës së parë të Serbisë në basketboll.
Kanë arritur të hyjnë në këtë garë në sezonin e shkuar dhe tani janë shokë, ndonëse klubi fillimisht ka pasur vetëm serbë. Ky është ekipi i vetëm shumëetnik në luginën me mjaft tensione politike.
“Unë stërvitem prej gjashtë vitesh dhe çdo ditë shoqërohem me shqiptarët. Ushtrimet na shkojnë mirë. Nuk kemi probleme për t’u shoqëruar me njëri-tjetrin”, shprehet Danijel Idic.
“Është kënaqësi tëjem pjesë e një ekipi të tillë. Që nga fillimi kur kam ardhur unë këtu kanë qenë në eip edhe shqiptarët edhe romët dhe kemi krijuar një miqësi të mirë. Jo vetëmnë në sallë, por edhe jashtë terreneve jemi shokë dhe shoqërohemi. Trajneri thotë se kështu do të duhej të ishte në një gjendje normale”, shton Dalibor Tasic.
Ndërkaq për klubin talentet e rinj duhet të plotësojnë disa kushte.
Nenad Stavic, trajner i “BSK Junior”, shpjegon: “Është një kënaqësi të punoj me këta të rinj. Kemi edhe vajza nga kombet e ndryshme. Këta janë njerëz që e duan sportin dhe nuk paraqet asnjë problem kombësia të punohet me ta. Madje një shoqëri shumëetnike në sport është e mirë. Ata mësojnë nga njëri-tjetri, mësojnë të flasin gjuhë të ndryshme, kultura dhe mësojnë në ushtrime dhe në udhëtime.Nga ata mësoj dhe unë.”
Ndërsa Miroslav Ristic, menaxher i “BSK Junior”, shprehet: “Nuk ka rëndësi për ne nëse janë shqiptarë apo serbë. Është me rëndësi që të jenë njerëz të mirë, ta duan sportin dhe të jenë nxënës të mirë në shkollë dhe të mos ndikojmë në kohën e tyre pasi shkolla është me rëndësi për jetën në vazhdim.”
Basketbolli ka lojtarë që kanë një qëllim të ditur: të shënojnë në koshin e varur në lartësi. Shqiptarët dhe serbët në ligat e tyre në zonën e Luginës së Preshevës luajnë bashkë në sporte. Kurse politika shpesh i ndan në kundërshtar.
Top Channel