Gjykata e Lartë në Iran pranoi apelin e fundit të një shtetasi iraniano-amerikan, i dënuar me vdekje për spiunazh, duke urdhëruar rigjykimin e tij.
Sipas gjykatësve, verdikti i dhënë ndaj Amir Mirzai Hekmati nuk ishte i plotë, prandaj i rekomandoi gjykatës që të rishqyrtonte edhe provat shtesë që ka në dorë akuza dhe mbrojtja. Nëse apeli nuk do të rezultonte i suksesshëm, ai do të ekzekutohej brenda disa ditëve.
Në muajin janar, Hekmati u dënua me vdekje për “bashkëpunim me një vend armik, spiunazh në favor të CIA-s dhe përpjekje për të përhapur terrorizmin në Iran”.
Ndonëse ai ka qenë i përfshirë më parë në një mision të ushtrisë amerikane në Afganistan si përkthyes, 29-vjeçari mohon të jetë rekrutuar nga Shërbimet Inteligjente Amerikane. Ai u arrestua në Iran, ku sipas tij kishte udhëtuar për të takuar gjyshërit. Familja e Hekmatit jeton në SHBA.
Në një deklaratë të mëparshme, Departamenti Amerikan i Shtetit argumentoi se nuk ka asnjë provë kundër tij dhe kërkoi që të lihet i lirë menjëherë.
Top Channel