Me moton “Kush fluturon, dashuron” po zhvillohet në Gjirokastër kampionati mbarëkombëtar i fluturimeve të lira.
“Gjirokastra 2012” është faza e katërt e kampionatit të fluturimeve që do të zhvillohet në 6 etapa. Në një mot të shkëlqyer për fluturime, pilotët kanë nisur garën nga kodrat përballë qytetit për të realizuar ulje me precizion në fushë.
Pikët e grumbulluara po i shtohen klasifikimit të etapave të mëparshme, ndërsa të dy organizatorët e kampionatit në nivel mbarëkombëtar Alket Islami dhe Fadil Gërguri ndihen optimistë dhe e shohin eventin si frymëmarrje për sportin, turizmin dhe promocionin ndërkombëtar të resurseve shqiptare.
“Është etapa e katërt dhe kemi pilotë nga të gjitha trevat shqiptare. Koha është e mrekullueshme dhe shpresojmë që të qëndrojë kështu”, shprehet Alket Islami.
Garat për kampionatin mbarëkombëtar të fluturimeve të lira kanë nisur në Prizren, e kanë vazhduar në Korçë dhe Prishtinë.
Faza e përmbyllur në Gjirokastër këtë fundjavë do të pasohet nga dy gara të tjera, përkatësisht në Gjilan në prill dhe në Vlorë në maj, periudhë kur do të mbyllet dhe kampionati dhe prej pikëve të grumbulluara në të 6 fazat do të shpallet edhe kampioni i fluturimit në ulje me precision.
Top Channel