Siri, Kryqi i Kuq sërisht në Homs

04/03/2012 09:15

Kryqi i Kuq Ndërkombëtar do të tentojë të dielën të shpërndajë ndihma në lagjen e Baba Amrit në Homs për të tretën ditë radhazi, raportuan burime zyrtare brenda organizatës humanitare.

Megjithatë, një zëdhënës pranoi se ende nuk është marrë një miratim nga autoritetet, pavarësisht bisedimeve të gjata. Zyrtarisht, Damasku ka bllokuar Kryqin e Kuq me pretendimin se më parë duhet të çminohen disa rrugë që do të rrezikonin jetën e aktivistëve.

Për mediat ndërkombëtare, vonesa po përdoret për të pastruar gjurmët e masakrave mbi civilët. Më vonë gjatë ditës, pritet që të mbërrijnë në Paris trupat e gazetës amerikane dhe fotografit francez, të vrarë në Homs dhe të dorëzuar nga autoritetet tek Kryqi i Kuq përpara disa ditësh.

Ndërkohë, situata në Homs deklarohet katasfrofike. Ata pak mijëra civilë që kanë mbetur në qytetin dikur me 140 mijë banorë nuk shërbehen me energji elektrike dhe ujë të pijshëm, ndërsa ushqimet dhe mjekimet pothuajse mungojnë tërësisht.

”Vazhdojnë të na mbërrijnë raporte rrënqethëse rreth ekzekutimeve, burgosjeve arbitrare dhe torturave. i bëjmë thirrje qeverisë siriane që të ndërpresë menjëherë këto abuzime me të drejtat thelbësore të njeriut”, deklaroi kryetari i OKB-së, Ban ki-Moon.

Sipas raportimeve të ndryshme, 6-15 mijë persona kanë humbur jetën në një vit revolta në Siri. Megjithatë, numri i saktë i viktimave është i pamundur të verifikohet, nga mungesa e mediave ndërkombëtare në vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA