Ligjvënësi nga Nju Jorku, Eliot Engel, tha se përfitimet e Kosovës nga marrëveshja me Serbinë mbi përfaqësimin e saj në forumet rajonale dhe ndërkombëtare janë më të mëdha se sa humbjet.

Në një intervistë për për Zërin e Amerikës, ai tha se do të dëshironte që Serbia dhe Kosova të anëtarësohen së bashku në Bashkimin Evopian.

“Unë nuk jam i gëzuar që Serbia tani mori statusin e vendit kandidat të Bashkimit Evropian. Unë nuk jam kundër anëtarësimit të Serbisë në BE, sepse një ditë edhe Kosova do të bëhet anëtare e BE-së dhe BE-ja është mënyrë e mirë që vendet të bashkëpunojnë me njeri-tjetrin ndërkohë që kufijtë nuk janë aq të rëndësishëm kur vendet anëtarësohen në BE. Por, në një kohë kur Kosova po mbahet jashtë OKB-së kryesisht për shkak të Serbisë dhe kur, sipas mendimit tim, Serbia nuk po bën atë që duhet ose nuk vepron me përgjegjësi në marrëdhëniet me Kosovën, unë nuk do ta shpërbleja Serbinë”, deklaroi Engel.

Ai u shpreh se do të ishte mirë që Kosova dhe Serbia së bashku të bëhen anëtare të BE-së. “Por ne tani duhet të sigurohemi që mundësitë të jenë të hapura që një ditë edhe Kosova të bëhet anëtare e BE-së. Duhet të sigurohemi që Serbia nuk do të jetë e aftë të bllokojë anëtarësimin e Kosovës në BE, ashtu siç e ka bllokuar Kosovën të bëhet anëtare e OKB-së. Prandaj, unë mendoj se këto gjëra janë të rëndësishme”, theksoi Engel.

Mbështetësi i njohur i çështjeve shqiptare vlerësoi se formula me të cilën Kosova do të paraqitet në nismat rajonale është pozitive, pavarësisht se fusnota mban rezolutën 1244.

“Mendoj se kosovarët duhet ta shohin marrëveshjen si tërësi. Mua nuk më pëlqen rezoluta 1244. Mendoj se ajo nuk ishte rezolutë e mirë. Por duhet të shihet konteksti. Marrëveshja nuk përmend vetëm rezolutën 1244, ajo merr parasysh edhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë sipas të cilit Deklarata e Pavarësisë e Kosovë nuk është në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare”, deklaroi Engel.

Sipas tij, nëse marrëveshja shihet nga ky kontekst, ajo është një plus i madh për Kosovën pasi i jep asaj mundësinë e përfaqësimit si një shtet dhe entitet i pavarur.

“Në thelb, unë do ta shikoja atë si mënyrë që detyron Serbinë të pranojë Kosovën si shtet të pavarur sepse kemi dy shtete të cilat flasin me njeri-tjetrin, pra Serbia dhe Kosova”, shtoi Engel.

Clinton: MSA-ja, sinjal pozitiv

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton përshëndeti sot me anë të një deklarate njoftimin e BE-së për të filluar shqyrtimin e mundësisë për një Marrëveshje Stabilizim-Asociimi me Kosovën.

Kjo gjë, sipas saj, është e rëndësishme për orientimin evropian të Kosovës dhe një sinjal i rëndësishëm për angazhimin e Evropës ndaj Kosovës.

Zonja Clinton përshëndeti njëkohësisht vendimin e Këshillit Evropian për t’i dhënë Serbisë statusin e kandidatit për në Bashkimin Evropian. Ajo uroi udhëheqjen dhe popullin e Serbisë për punën e tyre, angazhimin dhe vendosmërinë drejt këtij synimi.

“Integrimi evropian është në të mirë të Serbisë, Kosovës dhe gjithë rajonit. Unë i përshëndes udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë për kurajon dhe angazhimin e tyre në marrjen vendimeve të vështira politike e të nevojshme për të realizuar këto objektiva”, tha Clinton.

Më tej shefja e diplomacisë amerikane u bëri thirrje udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë që të vazhdojnë përparimin në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

Zonja Clinton shprehu gjithashtu angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të bashkëpunuar ngushtë me dy vendet në mbështetje të një të ardhmeje paqësore dhe të begatë evropiane.

Van Rompuy: Dialogu, vendime me rëndësi

Presidenti i Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy ka deklaruar se Kosova dhe Serbia kanë marrë vendime të rëndësishme që do të ndikojnë në të ardhmen e tërë Ballkanit.

Në një komunikatë për shtyp të lëshuar pas takimit me kryeministrin kosovar Hashim Thaçi, Van Rompuy e ka cilësuar si “të suksesshëm” rezultatin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Marrëveshja për bashkëpunim rajonal është një arritje e madhe që hap dyert për pjesëmarrjen e Kosovës në takimet rajonale. Jam po ashtu i kënaqur që është gjetur një marrëveshje për implementimin e paktit për menaxhimin e integruar të kufirit. Të dyja këto janë hapa të rëndësishëm drejt normalizimit të raporteve”, ka deklaruar Van Rompuy.

Më tej, në komunikatë thuhet se gjatë takimit me Thaçin, presidenti ka vlerësuar rolin e luajtur nga kryeministri kosovar në këtë proçes të ndërmjetësuar nga Brukseli. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA