Prej më shumë se katër muajsh vendi është përfshirë në një debat të madh lidhur me privatizimin e “Albpetrol”, ndërmarrjes së vetme shtetëror që menaxhon pasurinë kombëtare të naftës.
Të parët ishin punonjësit e sindikatës që lëshuan sinjalin e alarmit për një “shitje të kombit”, më pas ekspertët e fushës dhe së fundmi opozita në komisionet parlamentare, kur po diskutohen aktualisht dy projektligje mbi formulën e shitjes dhe nivelin e taksave.
Pavarësisht se ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe zëvendësit e tij kanë mbajtur fjalime të gjata në kuvend dhe deklarata në media, sërish mbetet e paqartë pjesa më e rëndësishme e procesit të privatizimit: sasia e naftës në nëntokë.
Askush nga pala e shtetit deri më sot nuk ka dhënë një shifër të saktë se sa është rezerva, dhe në ato pak deklarata të lëshuara të dukej një fjalëkryq me shumë enigma.
“Nuk mund të themi sa është, pasi as vet nuk e dimë. Studime të ndryshme japin të dhëna të ndryshme. Kompanitë e huaja të vlerësimit me teknologji të avancuar nuk japin të dhëna dhe ne presim sakaq mos mësojmë diçka më konkrete”, thotë një zyrtar i METE-s.
Në fakt, dje ishte rasti më i mirë për të mësuar rreth bilancit të kompanisë, për të ardhurat, fitimet, puset që dalin në shitje, sa arkëton shteti dhe më e rëndësishmja, sa është rezerva e naftës që privatizohet.
Zv/ministri i Ekonomisë, Eno Bozdo pranoi hapur në Komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese se, shumë të dhëna janë të vështira për t’u gjetur.
“Shumë të dhëna që kërkohen nuk varen direkt nga METE, por nevojitet angazhim edhe nga institucionet e tjera, si p.sh nga Financat, për rastin e vjeljes së taksave për kompanitë koncesionare që marrin naftën e “Albpetrol”. Sikurse edhe rezervën e naftës, po punohet nga institucioni i gjeologjisë për ta pasur si të dhënë”, tha Bozdo.
Zv/ministri ka marrë nga opozita 27 pyetje, por vetëm për një pjesë ka mundur të përgjigjet, që sipas socialistit Eduard Shalsi, “ishin gjysmake”.
Me sasinë e naftës që mban nëntoka shqiptare është spekuluar disa herë, sidomos nga kompani të huaja për qëllime përfitimi në bursë.
Shifra që përflitet më tepër nga një studim i bërë në vitin 2009, është 5 miliardë fuçi naftë rezervë në nëntokë, ndërsa më herët mendohej se ishte afro 2.5 miliardë fuçi.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë pasuri neto apo fitime të garantuara për atë që blen kompaninë, pasi çdo rezultat varet nga teknologjia. Kjo është pjesa në total, ndërsa për zonat nën administrimin e “Albpetrol” nuk dihet me saktësi.
Për pjesën e rentës 10 për qind mbi shitjen, Bozdo thotë se, nga viti 2008 deri në 2011 janë mbledhur afro 92 milionë dollarë, kur më parë shteti nuk merrte asgjë.
Sipas numrit dy të METE-s, kompanitë e huaja koncesionare kanë investuar që prej vitit 2004 rreth 482 milionë dollarë, ndërsa prodhimi në total për 2011-n ishte gati 900 mijë tonë, ku rreth 60 mijë dolën nga “Albpetrol”.
Eno Bozdo pranoi hapur në Komisionin parlamentar se, shumë të dhëna janë të vështira për t’u gjetur.
Debate për “Albpetrol” u zhvilluan edhe në mbledhjen e tre ditëve më parë të komisionit parlamentar, ku Partia Socialiste e cilësoi si një proçes jotransparent dhe të dyshimtë projektin e qeverisë.
Ndërsa javën e kaluar ishte deputeti socialist Erjon Braçe që akuzoi se formula e papreçedentë me të cilën qeveria po shet kompaninë “Albpetrol” është një aferë gjigande korrupsioni më dëme kolosale për qytetarët.
Top Channel