Kalon në Kuvendin e Kosovës debati për mënyrën e përfaqësimit të Kosovës në nismat rajonale. Opozita ka shfrytëzuar kohën e pyetjeve parlamentare për të kritikuar qeverinë për fusnotën.

Deputeti i AAK-së Ardian Gjini është ndalur te pika e marrëveshjes sipas së cilës Kosova duhet të përmbahet nga përdorimi i flamurit në takimet rajonale.

Edhe lëvizja Vetëvendosje përsëriti qëndrimet e saj se kompromiset e fundit janë bërë në kurriz të pavarësisë dhe janë alarmante. Vetëvendosje akuzon kryeministrin Thaci se e ngjalli rezolutën 1244 në bazë të së cilës nënshkroi marrëveshje që e krijojnë përjashtimin e pavarësisë. Ndërkohë që deptuteti i LDK-së Sabri Hamiti është ndalur te kritikat e kryeministrit Thaci bërë ndaj opozitës.

Ai tha se duke e cilësuar opozitën anti-amerikane ose anti-europiane kryeministri po përdor një parullë të vjetër dhe një diskurs të likuidimit.

Duke vlerësuar se Kosova nuk ka pasur zgjidhje tjetër, deputetët që vijnë nga partia e kryeministrit Thaci, megjithatë shprehen se BE-ja po bën një politike të padrejtë ndaj Kosovës.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ashtu siç kanë bërë edhe në seancat e kaluara edhe këtë herë parashtruan pyetjet për kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi rreth takimeve të tij me presidentin serb, Boris Tadic. Por as këtë herë nuk kanë mundur të marrin përgjigje, pasi kryeministri gjendet për vizitë zyrtare në Bruksel.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA