Një person i armatosur ka marrë peng dy persona dhe ka plagosur dy të tjerë pasi humbi vendin e punës në një fabrikë në Greqinë e veriut, lajmëruan burimet zyrtare gjatë së enjtes.
Dy të plagosurit, një manaxher turni dhe një punonjës, janë dërguar në spital, ku gjendja e tyre është stabilizuar dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka rrethuar që prej mesditës fabrikën e Helesit, në qytetin e Komotinit, ndërsa po negocion me pengmarrësin, i cili humbi punën si pjesë e shkurtimeve të mëtejshme për shkak të recensionit ekonomik.
Pengjet e tij janë të dy shoferë të kompanisë. Fabrika prodhonte kazanë plehrash dhe produkte të tjera plastike, të cilat eksportoheshin në BE. Megjithatë, së fundmi, gjysmës së 300 punonjësve iu komunikua shkurtimi nga puna.
Greqi, shkurtimet e reja godasin shëndetësinë
Marrëveshja përfundimtare për kredinë e dytë madhore greke pritet të arrihet midis vendit helen dhe Ministrave të Financave të vendeve të BE-së në orët e vona të së enjtes apo mëngjesin e së premtes, pasi Parlamenti Grek votoi të enjten pro shkurtimeve të mëtejshme të kërkuara për të arritur akordin.
Këtë herë, shkurtimet kanë goditur veçanërisht shëndetësinë, pavarësisht një proteste të ashpër të sindikatave të mjekëve, farmacistëve, infermierëve dhe qytetarëve të thjeshtë përballë Parlamentit.
Konkretisht, reduktimi i fondeve për shëndetësinë do të thotë se shumë ilaçe do të hiqen nga lista e barnave me rimbursim, në të njëjtën kohë që farmacitë do të detyrohen të punojnë më gjatë, me pagë më të ulët.
Sektori në fjalë është goditur gjithashtu nga vendimi i mëparshëm i qeverisë për të reduktuar pagat dhe për të ulur rrogën minimale deri në 600 euro.
Greqisë iu kërkua të sigurojë 3,2 miliardë euro të mëtejshme shkurtime në shkurt, për të nënshkruar marrëveshjen, për të cilën u arrit që më parë një akord verbal.
Me planin që pritet të ratifikohet pa vështirësi, Greqia do të përfitojë 130 miliardë euro hua, në të njëjtën kohë që do t’i falen gjysmat e borxheve të mëparshme.
Ndonëse kredia përkeqëson defiçitin grek, ajo i mundëson vendit që të shmangë një falimentim me pasoja katastrofike për vendin, që do të ndodhte në 20 mars në mungesë të një marrëveshje.
Top Channel