Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton ka deklaruar se
marrëveshja “historike” mes Serbisë dhe Kosovës do t’i mundësojë kësaj
të fundit që të përfaqësohet vetë në nismat rajonale.

Pas valës së reagimeve në vend kundër marrëveshjeve në dialogun e Brukselit, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ndodhet në kryeqendrën e Evropës për të marrë edhe njëherë mbështetje në takimet me zyrtarë të lartë si Stefan Fule dhe Catherine Ashton. Shefja e diplomacisë evropiane e priti me lëvdata e përqafime.

“Dua të filloj, njësoj siç bëra me Presidentin Tadiç, një ditë më parë, duke thënë se sa shumë dua t’ju shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen time ndaj jush kryeministër, ndaj vizionit dhe lidershipit tuaj. Unë e di, pasi isha e përfshirë në të gjitha detajet dhe së bashku patëm shumë biseda, pra unë e di se sa shumë i detyrohet marrëveshja këtij lidershipi dhe vizioni. Lidership për vendin tuaj, vizion për të ardhmen e vendit tuaj”, u shpreh Ashton.

Nga ana e tij, kryeministri i Kosovës, Thaci u shpreh: “Unë besoj fort se hapat që po ndërmarrim janë të vështira për shkak të së kaluarës. Por këto hapa janë thelbësorë për perspektivën tonë të përbashkët evropiane. Republika e Kosovës, është krenare që është një komb evropian. Dhe është e gatshme të zërë vendin e saj në BE, NATO dhe OKB. Dua ta falenderoj sërish dhe personalisht lady Ashton për gjithçka dhe për këto marrëveshje historike që u arritën mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë”.

Ashton vlerëson se marrëveshja mundëson që ky vit të jetë një vit i pasur mardhëniesh mes BE-së dhe Kosovës, pasi përgjatë tij do të hartohet studimi i fizibilitetit, mbahet dialogu për vizat, pritet të nënshkruhen marrëveshjet tregëtare, mundësohet pjesëmarrja e Kosovës (me asteriks) në tryezat rajonale, premtohet përfshirja e Kosovës në programet e BE-së dhe, siç shpreson shefja e diplomacisë evropiane, ndoshta edhe anëtarësimi i Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Pergatiti Ernest Bunguri 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA