Shqipëria humb “me nder”

29/02/2012 17:05

Kombëtarja shqiptare ka bërë një paraqitje të mirë në testin e parë nën drejtimin e teknikut italian, De Biazi, edhe pse kuqezinjtë u mundën në miqësoren e luajtur kundër Gjeorgjisë, me rezultatin 2-1.

Shqipëria kaloi e para në avantazh, që në minutën tretë të takimit, kur sulmuesi 22-vjecar, Edgar Çani përfitoi nga një gabim i mbrojtjes vendase duke shënuar golin e tij të parë me fanelën kuqezi, në ndeshjen e tij debutuese.

Pas këtij goli dhe nën filozofinë e lojës së De Biazit, djemtë kuqezinj u mbrojtën mirë dhe tentuan disa herë të kundërsulmonin, por pa mundur do të gjejnë rrugën e golit. Pak minuta para  fundit të pjesës së parë në një dyluftim me kokë brenda zonës tonë, një lojtar gjeorgjian rrëzohet dhe gjyqtari i takimit jep 11-metërsh të dyshimtë që shkaktoi protesta nga ana e skuadrës sonë. Por Ujkani bëri heroin duke pritur 2 herë gjuatjen e sulmuesit gjeorgjian.

Pjesa e dytë nis vrullshëm për vendasit që kërkojnë barazimin e rezultatit. Presioni i ushtruar prej tyre jep rezultat vetëm 3 minuta nga nisja e kësaj pjese kur Kobakhidze gjen rrjetën tonë duke barazuar gjithcka.

Minutat që pasojnë shohin Shqipërinë më shumë të tërhequr për të mos i lënë hapësira pas kundërshtarit dhe duke pritur një gabim të tij për ta shfrytëzuar me kundërsulm. Kjo zgjedhje taktike mbajti për minuta me radhë të fiksuar rezultatin e barabartë 1-1 dhe kur të gjithë mendonin se ky do të ishte rezultati final i takimit, vendasve u akordohet një tjetër 11-metërsh nga gjyqtari i takimit, edhe ky i dyshimtë.

Ujkani vendoset para kundërshtarit gjeorgjian. Ai priti gjuatjen e parë, tentativa e dytë u përplas në traversë, ndërsa në të tretën Amisulashvili e dërgoi atë në rrjetë.

Goli erdhi në minutën e 88-të dhe koha e mbetur e lojës ishte shumë pak për të parë, ndoshta një reagim të skuadrës sonë. Takimi përfundoi 2-1, një takim që për djemtë e De Biazit ndoshta mund të cilësohet si i suksesshëm.

“Jam më shumë i pakënaqur nga vendimet e arbitrit sesa për disfatën. ishin disa episode ato që vendosën në këtë takim. gjithsesi mund të them se skuadra bëri një lojë shumë të mirë sidomos në pjesën e parë. pashë një ekip të organizuar dhe që aplikonte sulme të shpejta”, tha në fund të takimit trajneri kuqezi, De Biazi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA