Tryeza e radhës e PS i është kushtuar çështjeve të mprehta sociale me të cilat ndeshet shoqëria shqiptare, duke parashtruar vizionin e opozitës në zbutjen e varfërisë dhe gjetjen e rrugëve për uljen e papunësisë, të cilat janë një kapitull i veçantë në programin Për një Rilindje Kombëtare.
Profesor Kosta Bajraba i ka bërë një analizë çështjeve që lidhen me varfërinë, skemën e pensioneve, për të cilën tha se është e falimentuar, dhe ndihmat sociale.
Kreu i opozitës, Edi Rama u shpreh se niveli zyrtar i varfërisë paraqitur nga qeveria nuk është një pasqyrë reale, por thjesht një spekullim.
Duke u ndalur në çështjen e personave që e kanë të lidhur jetesën e tyre me ndihmat sociale të shtetit, zoti Rama tha se tashmë kjo kategori është shndërruar në një aset elektoral.
“Që prej zgjedhjeve të vitit 2009 dhe pas zgjedhjeve të vitit të shkuar, u është hequr ndihma ekonomike shumë njerëzve të varfër, të familjeve në nevojë ekstreme, thjesht prej dyshimit se kanë votuar kundër qeverisë. Ne jo vetëm kemi identifikuar si duhet shënjestrën tonë për varfërinë dhe papunësinë, por kemi konceptuar një program që e sheh problemin në të gjitha anët”, ka deklaruar Rama.
Rama ka denoncuar manipulimin e shifrave të 10 institucioneve qeveritare që japin, siç theksoi ai, informacione kontrakditore, duke mbivendosur shifrat qëllimisht, duke fshehur kështu varfërinë reale.
Rama ka akuzuar ministrin Spiro Ksera se e ka kthyer Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale në një ministi të shërbesave elekotorale.
Kryesocialisti, duke iu referuar programit Për një Rilindje Kombëtare, u shpreh se papunësia që kap shifrën 1 milion do të luftohet me politika efektive sociale dhe masa kundër varfërisë.
Top Channel