Shefi i qeverisë, Sali Berisha, dhe Zëvendës- Kryeministri Edmond Haxhinasto do të jenë në Bruksel të enjten. Ndërsa kryetari i PD do të marrë pjesë si vëzhgues në takimin e zakonshëm të Partive Popullore Europiane që i paraprin samitit europian të krerëve të shteteve dhe qeverive europiane, Ministri i Jashtëm pritet të takohet me Komisionerin për zgjerim Stefan Fule dhe kreun e Delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Europian, Eduard Kukan.
I pyetur nga TCH, Kukan shpjegon se ku do të fokusohet biseda e tij me ministrin për Shqipërinë.
“Thirrja ime ndaj tij do të jetë se ne po presim më shumë raportime. Koha po fluturon, zgjedhjet po afrohen. Në lidhje me reformën zgjedhore e cila po vazhdon prej një kohe kaq të gjatë, rekomandimet e ODIHR duhet të përfshihen në legjislacion dhe ligjet duhet të përgatiten shumë mirë, jo në momentin e fundit, por shumë përpara si dhe duhet të jenë rezultat i dialogut të partive politike. Vetëm atëherë do t jetë e besueshme se mund të presim zgjedhje të mira në Shqipëri. Por reforma zgjedhore nuk është kushti i vetëm. Ju e dini që janë hetimet e ngjarjeve të 21 janarit, votimi i ligjeve me shumicë të cilësuar në parlament, të gjitha këto pra”, tha Kukan.
I pyetur për akuzat e ndërsjellta mes palëve për bllokimin e reformës zgjedhore, Kukan përsëriti mesazhin e tij për klasën politike.
“Dialogu përbëhet nga dy partnerë. Nëse ata akuzojnë njëri tjetrin, unë nuk dua të mbroj ndonjërën palë, por ne po përsërisim kaq e kaq herë se të dy palët duhet të bien dakort. Ky është mesazhi politik që unë do ta përsëris gjithnjë dhe nuk do të mbaj asnjë anë. Nëse ka shkelje serioze atëherë ndryshon puna, por ashtu siç janë gjërat në këtë moment, unë do të thoja se ata duhet të mësojnë të jetojnë në paqe, normalisht, duke dialoguar, jo duke hedhur akuza, duke ndryshuar kulturën politike”, shtoi Kukan.
Ecuria e vendit në 12 prioritetet kyce dhe dialogu konstruktiv politik pritet të përbëjnë temën kryesore të bisedës edhe me Komisionerin Fule, me të cilin Ministri do të drekojë rreth orës 13, jashtë ambjenteve të Komisionit.
Një ditë më parë, Komisioneri për zgjerim përsëriti se si statusi kandidat, edhe celja e bisedimeve për anëtarësimin e vendit në BE, varen nga zbatimi i këtyre kritereve.
Përgatiti: Arta Tozaj
Top Channel