FSHF kundër Apelit

29/02/2012 15:20

Kaos në Federatën Shqiptare të Futbollit. Në ditën e debutimit të trajnerit të ri të përfaqësueses me Gjeorgjinë, FSHF edhe pse thuajse e gjitha jashtë, ka mbetur me kokën e kthyer tek vendimi i Komisionit të Apelit.

Ky komision, i vetë FSHF-së, ka falur 3 pikët e Flamurtarit për ndeshjen e Kupës me Skëndërbeun ku u godit gjyqtari i ndeshjes nga tifozët korcarë. Gjithashtu i ka ulur ndëshkimin në 4 ndeshje pa tifozë Pogradecit, ndërkohë që nuk ka marrë parasysh ankimimin e Skëndërbeut i cili është dënuar me 8 ndeshje jashtë nga Komisioni i Disiplinës.

Një ditë më pas, nëpërmjet një deklarate për shtyp FSHF reagon: Në këto vendime tek Komisioni i Apelit dallohet qartë paragjykimi e paramendimi për të arritur në konkluzione të padrejta e të njëanëshme për ata që kanë gabuar rëndë gjatë e pas lojës. Vendimet e Komisionit të Apelit kanë lehtësuar ndëshkimet (marrë nga Komisioni i Disiplinës) e atyre që kanë vepruar me vetëgjyqësi në fushën e lojës dhe kanë lënë të paprekur palët e tjera të ndëshkuara për rrethana më lehtësuese. Këto vendime dëmtojnë realisht garën sportive që ka mbërthyer klubet e Kategorisë Superiore për trofeun e Kupës së Shqipërisë e Kampionatin Kombëtar. Vendosja e mosbarazisë në këto vendime prodhon padrejtësi, dyshime korruptive e  keqpozicionime në raport me klubet të cilët janë anëtarë të Federatës Shqiptare të Futbollit. Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit për të mbrojur rregullat parimore, marrëdhëniet me anëtarët e saj, seriozitetin e ndershmërinë e garës distancohet nga njëanëshmëria e vendimeve të fundit të Komisionit të Apelit duke i premtuar anëtarëve të saj transparencë, seriozitet e barazi për të gjithë.

Një tjetër reagim ky i FSHF-së i cili duket se do të rindezë tensionet mes drejtuesëve të klubit të Flamurtarit dhe Pogradecit, marrëdhënie të cilat në këto momente kanë mbetur thjeshtë formale.

Ndërkohë në një komunikim elektronik me Presidentin e Komisionit të Apelit, Arben Rakipi ai deklaron se është i keqardhur për nxitimin e konkluzionit të Komitetit Ekzekutiv. Konkluzione që ai i konsideron si për të ardhur keq, pasi do të kishte qenë më mirë, sipas Rakipit, të prisnin deri në arsyetimin e Komisionit të Apelit për vendimet e marra.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta