BSH ndan bankat greke nga Greqia

29/02/2012 08:15

Banka Qëndrore Europiane deklaroi dje se ka vendosur një mekanizëm të posaçëm për financimin e bankave greke, me qëllim shmangien e falimentit nga këto banka, pasi agjencia Standard & Poor’s shpalli se Greqia është në statusin e “falimentit selektiv”.

Siç raportoi “Shqip” në numrin e së mërkurës, vendimi i “S & P” i bën bondet e qeverisë greke të pavlefshme si kolateral. Por, bankat e Greqisë, si në të gjitha vendet, kanë pronësinë mbi sasi të konsiderueshme bondesh sovrane të qeverive përkatëse dhe i vendosin këto bonde si kolateral për financimet që marrin nga bankat qendrore.

BQE njoftoi se bondet e Greqisë nuk mund të përdoren aktualisht për kolateral, por një linjë krediti është vendosur për të vijuar financimin e bankave të Greqisë, duke shmangur kështu falimentin.

Qeveria greke, nga ana e saj njoftoi se vendimi i “S & P” nuk kishte pasoja konkrete. Banka Qëndrore Europiane ka ofruar muajin e kaluar kredi me interes 1 për qind për të gjitha bankat e rajonit, gjë që e ka eliminuar krizën.

Ndërkohë, lajmet e tjera që vijnë nga Eurozona tregojnë se situata po stabilizohet dhe se marrëveshja e fundit mes Greqisë dhe trojkës po funksionon.

Kostoja e huamarrjes së Italisë ra në 5.5 për qind për bondet dhjetëvjeçare nga 6.08 për qind që qe në ankandin paraardhës. Ky ishte interesi më i ulët i shënuar që nga shtatori i kaluar. Bondet greke do të pranohen sërish si kolateral nga mesi i muajit mars pasi BE pritet të japë një garanci për shlyerjen e tyre.

Vendimi në Tiranë

Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë pritet të miratojë sot ndarjen e dy degëve të bankave greke në ekonominë shqiptare nga bankat mëma, gjë që eliminon rrezikun që qe krijuar nga një faliment i mundshëm i Greqisë.

Dy banka me kapital grek kanë funksionuar në Shqipëri si degë të bankave përkatëse që nga koha kur u krijuan gati një dekadë më parë. Duke filluar nga sot, do të funksionojnë si banka më vete. Ndarja është në fakt vetëm një vendim juridik. Për klientët e këtyre bankave nuk do të ketë asnjë ndryshim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA