Kryeministri Sali Berisha u kërkoi anëtarëve të qeverisë të punojnë më shumë jo vetëm për prioritetet, që janë kushte nga Bashkimi Europian për marrjen e statusit të vendit kandidat, por edhe për standardet e tjera të munguara, që në progres-raport evidentohen si të tilla.

Këtë angazhim kryeministri Berisha e kërkoi edhe pse është i bindur, që Shqipëria ka pak shanse të marrë statusin në fund të vitit, pasi Shqipëria, sipas tij, rezulton sërish në Bruksel me reforma të bllokuara për shkak të vullnetit për bllokim të Edi Rames.

“E paimagjinueshme! Të ngrihet njeriu në javën e vendimeve europaine dhe të shpallë bllokimin. Shqiptarët e panë sërish, siç e panë për vizat, e panë për statusin dy herë. E panë edhe në prag të kësaj jave. Nuk ishte se Shqipëria do të merrte statusin, por Shqipëria mund të vlerësohej për hapat seriozë. Por zoti Rama nuk e donte këtë, sepse vlerësimi i Shqipërisë është sipas tij rrënimi i karrierës së tij politike. Karrierën mund ta ndërtojë ose mbi fatkeqësitë natyrore, ose mbi bllokimin. Karrierë tjetër ai s’sheh”, deklaroi Berisha.

Kryeminstri Berisha ishte mosbesues ndaj opozitës, kur deklaroi se zoti Rama mund të bllokoje edhe heqjen e imuniteteve, një tjetër prioritet-kusht i Bashkimit Europian, për përmbushjen e të cilit kryeministri i ka kërkuar ndihmë edhe drejtorit të reformave në Këshillin e Europës. Për të bërë progres në këtë pikë kryeministri nuk kundërshton edhe prekjen e Kushtetutës.

“I garantova se qeveria është e gatshme të votojë heqjen e imuniteteve qoftë me ligje organike, qoftë me ndryshimin e Kushtetutës. Rëndësi kryesore ka që zyrtarët shqiptarë, deputetë apo gjykatës, të mos kenë imunitet. Ne do të vazhdojmë pa ndërprerë reformat në të gjitha fushat ku Edi Rama nuk mund të bllokojë. Nuk bllokon dot proçesin e transparencës. Mund të bllokojë heqjen e imunitetit. Por çdo ditë që kalon shkurton kohën e tij në politikë dhe po përgatit disfatën më të thellë që ka njohur njëri gjatë 21 viteve të fundit”, shtoi Berisha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA