Tiranë, mblidhet Këshilli i Bizneseve

28/02/2012 10:55

Në Tiranë po zhvillohet mbledhja e Këshillit të Bizneseve, ku në qendër të bisedimeve janë projektligje të rëndësishme për këtë sektor.

Mbledhja po kryesohet nga ministri i Ekonomisë, Nasip Naço. Në të do të diskutohet edhe për operimin e kompanive kryesore në vned.

Nga ana e tyre, grupet e interesit kanë kërkuar që të merren parasysh sugjerimet e tyre për ligjet.

“Përfaqësuesit e tregut të sigurimeve duhet të jenë pjesë në hartimin e ligjeve”, kanë deklaruar përfaqësues të biznesit.

Aktualisht biznesi shqiptar nuk ndodhet në një situatë të mirë, pasi të dhënat e fundit tregojnë se kreditë e dhëna nga bankat kanë rezultuar më të këqija për biznesin se sa për individët.

Më herët gjatë muajit, një pjesë e biznesit i kërkoi qeverisë të shtyjë ligjin për deklarimin e të ardhurave personale.

Gjergj Buxhuku, i cili përfaqëson interesat e bizneseve të industrisë, tha se hyrja në fuqi e ligjit në këtë moment mund të perceptohet si masë represive, duke trembur kapitalin që ushqen ekonominë.

Gjithashtu, biznesi i kërkoi politikës që në kulmin e krizës ekonomike të linte mënjanë përplasjet dhe të përqendrohej tek sipërmarrja.

“Përshkallëzimi i krizës kërkon në mënyrë absolute stabilitet politik dhe dialog mes klasës për të miratuar ato 2-3 ligje të rëndësishme që kërkojnë 3/5 dhe që biznesi i ka të domosdoshme urgjentisht”, u shpreh në fillim të muajit Luan Bregasi, president i “Business Albania”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA