Komisioni Europian do të nisë “studimin e fizibilitetit” për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën.   

Ky vendim është marrë nga Ministrat e Jashtëm të BE-së, gjatë takimit të së martës, ndërsa lajmin nga Prishtina e ka dhënë kryeministri Hashim Thaçi dhe përveç kësaj, kryeministri ka thënë se është vendosur edhe për shkurtimin e rrugës së liberalizimit.

“Këshilli i Ministrave të BE-së ka aprovuar të drejtën e Kosovës për studimin e fizibilitetit për të ardhmen europiane të Republikës së Kosovës dhe shkurtimin e periudhës kohore për liberalizimin e vizave”, theksoi kryeministri Thaçi.

Thaçi i bëri këto deklarata pas takimit me dy ish-presidentët e Shqipërisë, Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani, të cilët kanë mbështetur Thaçin pas marrëveshjes së arritur në Bruksel që Kosova të përfaqësohet me një shënim, ku do të përmendet edhe Rezoluta 12 44 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Pesha ndërkombëtare e Republikës së Kosovës është duke u rritur dhe po rritet në vazhdimësi. Marrëveshja e fundit ka kontribuar dhe do të kontribuojë në arritjen e këtyre sukseve të mëtejshme”, vlerësoi Moisiu.

Nga ana e tij, ish-presidenti Mejdani tha: “Rezoluta 12 44 që i dha çlirimin Kosovës, ishte paketa Ahtisaari që dha në fund të fundit të drejtën për ta pavarësuar Kosovën, të njohur edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Njëkohësisht, me veprimet e fundit dhe me angazhimet kryeministrit, ju po hapni një dritare të fuqishme të integrimit të Kosovës në NATO dhe BE”.

Duke folur për marrëveshjen e fundit për përfaqësimin rajonal të Kosovës, të cilën kreu i qeverisë, Thaçi, e quajti “konkluzione mirëkuptuese”, tha se përmes saj Serbia ka njohur opinionin e GJND-së dhe deklaratën e pavarësisë.

“Është një zgjidhje e balancuar, që është rrjedhojë me 12 44, që ka qenë edhe më herët, si mbetje historike, ndërsa risi është se Serbia ka njohur opinionin e GKND-së dhe deklaratën e pavarësisë”, shtoi Thaçi.

Duke folur për përfaqësimin e Kosovës, Thaçi u shpreh se tashmë do të flasim në emrin tonë dhe UNMIK-u nuk do të jetë as në salla e as në korridore.

Por, se kur do të bëhet ndryshimi i marrëveshjes, kreu i qeverisë nuk dha ndonjë afat kohor, por u shpreh se kjo do të arrihet me evoluimin e procesit të integrimeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA