Kosova me asteriks u përdor për herë të parë në dokumentin e konkluzioneve të ministrave të BE-së.
Pas debatesh të gjata, Serbia siguroi mbështetjen e 27 vendeve antare për statusin kandidat, vendim i cili mbetet për t’u konfirmuar pas dy ditësh nga samiti europian i krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së.
Ndërsa për Kosovën, 27 vendet e BE-së ranë dakort, pa paragjykuar qëndrimet mbi statusin e saj, që Komisioni të nisë studimin e fizibilitetit, për të parë nëse vendi përmbush kushtet politike, sociale e ekonomike për të nisur në të ardhmen proçesin e stabilizim-asocimit me BE-në.
Nicolai Ëammen, ministri danez për Çështjet Europiane, informoi:
“Ne ishim të aftë të rekomandonim, të gjitha vendet antare së bashku, statusin kandidat për Serbinë. Ne biem dakort se Serbia i ka plotësuar kriteret. E parë nga këndvështrimi im, Serbia është kthyer tashmë në familjen e saj europiane.
Kur flasim për Kosovën, unë besoj se kjo është një ditë e mirë gjithashtu për Kosovën. Kemi rënë dakort të përforcojmë mardhëniet tona me Kosovën, si dhe kemi mbajtur shënim faktin se Komisioni do të nisë studimin e fizibilitetin për një marrëveshje Stabilizim-Asociimi me BE-në. Dhe për këtë kanë rënë dakort edhe pesë vendet antare të cilat nuk e njohin Kosovën”.
Nga ana e tij, Komisioneri Europian për Zgjerimin, Stefan Fyle, bëri të qartë: “Studimi i fizibilitetit do të shqyrtojë nëse janë përmbushur kriteret politike, ekonomike dhe ato ligjore për një marrëveshje Stabilizim-Asociimi. Nisja e studimit të fizibilitetit për MSAnë me Kosovën nuk e paragjykon statusin ligjor dhe as qëndrimet e vendeve anëtare në lidhje me njohjen e Kosovës”.
Në fillim të takimit të së martës, teksti për Kosovën u kundërshtua nga Spanja dhe Qipro, të cilat arritën të ndryshojnë përmbajtjen sipas kërkesave të këtyre dy vendeve që nuk e njohin pavarësinë e vendit.
Ndërsa më pas, ishte Serbia ajo që u përball me bllokimin e Rumanisë, e cila kërkonte respektimin e pakicave vllahe.
Disktutimet me Rumaninë pritet të vijojnë edhe në ditët që mbeten, para konfirmimit përfundimtar nga samitit europian, për dhënien e statusit kandidat ndaj Serbisë.
Përgatiti: Arta TOZAJ
Top Channel