Dy shqiptarë kanë mbetur të vrarë në qytetin e Gostivarit në Maqedoni. Ata janë qëlluar me armë zjarri nga një polic maqedonas.
Nga informacionet e deritanishme, mësohet se dy shqiptarët, Besnik Shehapi, 25 vjeç dhe Imran Mehmeti 30 vjeç janë qëlluar me armë nga efektivi i policisë maqedonase i identifikuar si Jakim Trifunovski. Polici Trifunovski është konfrontuar me dy të rinjtë shqiptarë për vendin e parkimit. Zënka ka precipituar në nxjerrjen e armës së punës nga ana e efektivit, i cili në ato momente nuk ka qenë në krye të detyrës, dhe hapjen zjarr ndaj shqiptarëve.
Për pasojë dy të rinjtë, Shehapi dhe Mehmeti kanë gjetur vdekjen nga plagët e marra. Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie dhe grupi hetimor ka nisur hetimet paraprake për zbardhjen e krimit.
Ndërkohë, informacionet mbi vrasësin mbeten ende kundërshtuese dhe për momentin nuk dihet nëse ai është kapur apo ndodhet në arrati.
Top Channel