Legalizohen 25 milionë euro nga amnistia

28/02/2012 08:15

Ministria e Financave arkëtoi rreth 600 mijë euro taksa nga kapitalet e deklaruara të individëve në kuadër të ligjit “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor”.

Lajmi bëhet i ditur nga gazeta “Shqip”, që citon një raport statistikor të publikuar së fundmi.

Ligji për faljen i lejonte individëve që kishin kapital të padeklaruar, të paguanin një tatim prej 3 për qind të vlerës së kapitalit që dëshironin të deklaronin pa kushte të tjera. Për rrjedhojë, rreth 2.7 miliardë lekë ose 20 milionë euro u legalizuan.

Ndërkohë, qeveria njoftoi se ka arkëtuar edhe 20 milionë lekë tatim për legalizimin e 4.9 milionë eurove të padeklaruara nga personat juridikë (bizneset).

Ligji

Qeveria e miratoi ligjin për legalizimin e kapitalit vitin e kaluar, pa dhënë ndonjë shpjegim për shkaqet që e shtynin në këtë drejtim.

Ligji parashikonte thjesht që njerëzit që kishin kapital të padeklaruar mund të paguanin 3 për qind të shumës si tatim mbi të ardhurat dhe rrjedhimisht kapitali i tyre qe i legalizuar.

Opozita nuk e miratoi ligjin në Kuvend, gjë që e detyroi qeverinë të mos bënte një amnisti (e cila kërkon 84 vota në Parlament).

Kjo do të thotë se teorikisht, personat që kanë deklaruar të ardhurat e fituara në burime jotatimore, janë ende të rrezikuar nga përndjekja ligjore. Formalisht, tatimet duhet të referojnë në polici dhe prokurori rastet e identifikimit të kapitalit të krijuar jashtë kuadrit fiskal.

Një kapital i tillë mund të jetë krijuar nga evazioni fiskal, por edhe nga aktivitetet e paligjshme. Në praktikë, numri i përndjekjeve ligjore të rasteve të krijimit të kapitalit jashtë taksave është pothuajse zero në Shqipëri dhe paratë e krijuara nga korrupsioni, aktivitetet kriminale apo thjesht evazionit fiskal, qarkullojnë lirshëm në ekonomi.

Diskriminim ndaj taksapaguesve

Ligji për legalizimin e kapitalit i kërkonte individëve dhe bizneseve që kanë fituar para në mënyrë të paligjshme, të paguanin vetëm 3 për qind tatim mbi këtë kapital, ndërkohë që bizneset dhe individët që punojnë brenda sistemit fiskal paguajnë 10 për qind tatim mbi të ardhurat personale.

Në një situatë normale, ligji në fjalë i bëri të ditur qytetarëve që është më mirë të punohet jashtë sistemit fiskal, sepse në fund, qeveria do të miratojë një ligj me tatim më të ulët.

Efekti i ulët

Me gjithë lehtësitë e krijuara nga tatimi tri herë më i lirë për legalizimin e kapitalit, efekti i ligjit qe shumë i paktë nga sa pritej. Disa shoqata të biznesit vendës kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur që ligji për legalizimin të shoqërohet me garanci për mospërndjekjen penale në të ardhmen.

Sipas tyre, mungesa e garancisë është pengesa kryesore që i shtyn shqiptarët të vijojnë t’i mbajnë paratë e palegalizuara.

Nga ana tjetër, disa shoqata të biznesit të huaj si dhe disa biznesmenë vendës që kanë punuar me korrektësi gjatë dy dekadave të fundit, e kritikuan jozyrtarisht nismën e qeverisë si një padrejtësi e dytë që i bëhet qytetarëve të ndershëm.

Vetë qeveria nuk ka marrë mundimin të japë ndonjë shpjegim, megjithëse është e dukshme që rreth 25 milionë euro janë bërë të ligjshme dhe një sasi prej këtyre parave janë dërguar sakaq jashtë vendit.

Te raporti i Ministrisë së Financave për ecurinë e ligjit gjendet zëri “Penalitete kur kapitali i legalizuar e depozituar transferohet jashtë shtetit (13%)”.

Rezulton se disa subjekte kanë pranuar të paguajnë tarifën prej 13 për qind për transferimin jashtë Shqipërisë të rreth 165 mijë eurove të fituara në mënyrë të paligjshme dhe të legalizuara duke përfituar nga ligji i qeverisë.

Paratë e palegalizuara në Shqipëri, ndryshe nga sa mund të hamendësohet, nuk janë fshehur poshtë dyshekut, por gjenden drejtpërsëdrejti në banka në formën e depozitave.

Në agjencinë e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, një zyrë kjo e krijuar me asistencë të huaj, gjendet një sistem monitorimi i transfertave bankare, ku janë regjistruar me qindra dhe mijëra transaksione me shuma të mëdha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA