Enti Rregullator i Energjisë Elektrike bëri të ditur të hënën se, metodologjia aktuale e llogaritjes së çmimeve nuk i ka lejuar të planifikojë koston e importit të energjisë për KESH-in gjatë vitit 2012, por humbjet që mund t’i krijohen korporatës nga këto importe mund të kompensohen në tarifën e vitit të ardhshëm.
Reagimi i ERE-së erdhi pasi në gazetën “Shqip” u publikua fakti që KESH nuk kishte para për importin e energjisë këtë vit, për shkak se tarifa e shitjes së energjisë prej KESH te CEZ Shpërndarje qe tepër e ulët.
Sipas ERE-së, në ligjin aktual për energjinë elektrike ekziston një sistem kompensimi dyvjeçar, që i lejon të kompensojë në vitin pasardhës humbjet apo fitimet e pallogaritura në vitin paraardhës.
Llogaritë e ERE-së nisen nga parashikimi që prodhimi vjetor i energjisë në Shqipëri është 4200 GWh, sa është edhe mesatarja shumëvjeçare e sistemit. Në rast se prodhimi rezulton më i lartë, KESH-it i ulet tarifa për vitin pasardhës dhe në rast se prodhimi rezulton më i ulët, tarifa i rritet.
“Për vitin 2011, ERE ka kompensuar Furnitorin Publik me Shumicë (KESH) për mbulimin e importeve për këtë periudhë në masën 681 GWh”, – thuhet në shpjegimin e ERE-së.
Për vitin 2012 nuk është parashikuar importi i energjisë elektrike, pasi sasia që KESH do t’i japë CEZ Shpërndarje është 4111 GWh, pra më e ulët se sa mesatarja shumëvjeçare e përcaktuar nga deklarata rregullatore.
KESH pritet të ketë prodhim shumë më të ulët se sa 4111 GWh këtë vit dhe detyrohet të mbulojë diferencën me importe, të cilat kushtojnë.
Korporata ka mbetur aktualisht me arkën bosh dhe po i drejtohet qeverisë në mënyrë të përsëritur për të marrë garanci bankare që i lejojnë të hyjë në borxhe me bankat.
Teorikisht, KESH do të mund t’i shlyejë borxhet te bankat vitin e ardhshëm, pasi ERE të rrisë çmimin për këtë kompani. Por KESH sakaq, ka rreth 150 milionë euro borxhe nëpër banka dhe ka nevojë edhe për 50-70 milionë euro të tjera për të përballuar importet deri në fund të vitit.
Top Channel