Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç ka kërkuar nga zyrtarët e Bashkimit Evropian lirimin e gjashtë shtetasve serbë të arrestuar pak ditë më parë në Gjilan të Kosovës.

Daçiç ka deklaruar se akuzat e ngritura ndaj punonjësve të dikasterit të tij janë të rreme dhe të montuara për qëllime politike.

Në takimet e zhvilluara në Bruksel me zyrtarë të ndryshëm evropianë, ministri i Brendshëm ka ngritur çështjen në fjalë, duke paralajmëruar se, nëse ajo nuk zgjidhet shpejtë, do të ketë pasoja të rënda.

“Ata nuk janë kapur me armë dhe uniforma falso. Ato janë uniforma të vjetra dhe e gjithë kjo mund të çojë në aplikimin e masave reciproke nga Serbia”, ka deklaruar Daçiç.

Gjashtë shtetasit serbë, punonjës të Ministrisë së Brendshme serbe, u arrestuan ditën e shtunë në Gjilan, nën akuzën e falsifikimit të dokumentave, kryesisht pasaporta dhe patenta automjetesh, duke mos njohur dokumentet e shtetit të Kosovës.

Ditën e hënë një gjykatës i EULEX-it u komunikoi atyre masën e arrestit me 30 ditë paraburgim, për shkelje të ligjeve të Kosovës dhe ushtrim presioni ndaj banorëve të veriut për të mos njohur institucionet e saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA