Kriza energjetike ishte e paralajmëruar

27/02/2012 08:30

Edhe njohësi më i dobët i sistemit elektroenergjetik shqiptar mund ta kishte paralajmëruar me lehtësi krizën energjetike që po na vjen dhe komplikacionet për buxhetin e shtetit që do të shkaktojë, por qeveria u kujtua të marrë masa vetëm në momentin e fundit.

Lajmi u raportua ditën e hënë nga e përditshmja “Shqip”, duke cituar burime nga kompanitë publike të energjisë elektrike. Sipas ekspertëve, qe e qartë se KESH kishte nevojë për para dhe ia kishte bërë të ditur situatën Entit Rregullator të Energjisë apo Ministrisë së Ekonomisë, por që të dyja institucionet nuk patën kohë të merren me këtë çështje.

Shqipëria ka prodhuar mesatarisht 5 miliardë kWh në vit gjatë dekadës së fundit dhe konsumon zakonisht 6.5-7 miliardë kWh. Cikli i prodhimit të energjisë është i dukshëm.

Çdo tre vjet, Shqipëria ka një vit të mirë hidrik, një vit mesatar dhe një vit të dobët. Kjo nuk lidhet aq shumë me ciklin e rënies së shiut në tokë, se sa me ciklin e shfrytëzimit të hidrocentraleve mbi Drin. Viti 2010 qe i shkëlqyer sa i përket prodhimit, viti 2011 qe mesatar dhe paralajmërues për krizën e pritshme të vitit 2012.

Ekspertët e KESH-it e dinin këtë gjë: në nëntor të vitit 2011. Korporata dorëzoi te Enti Rregullator i Energjisë kërkesën për rritjen e çmimit të energjisë që i shet CEZ Shpërndarje në 5 lekë për kWh, gjë që do t’i lejonte Korporatës të importonte energjinë e nevojshme për të mbuluar konsumin.

Por, Enti Rregullator miratoi vetëm një rritje shumë të pjesshme, ku nuk përfshihej mbulimi i kostos së importimit të dritave. Arsyeja e mosrritjes së çmimit qe një farë populizmi politik nga ana e ERE-së, një institucion që teorikisht është i pavarur nga politika.

Nga çasti që ERE-ja mori vendimin përkatës, qe e qartë se KESH do të mbetej pa para shumë shpejt. Qeveria në atë kohë po diskutonte buxhetin e shtetit të vitit 2012, dhe fare mirë mund ta kishte marrë parasysh kërkesën e KESH-it për para. Por sërish qeveria nuk veproi.

Përkundrazi, KESH duket se po komunikon me qeverinë më shumë përmes medias se sa përmes shkresave. Vetëm pasi KESH jep alarmin se nuk i kanë mbetur para në arkë dhe se bankat nuk e kreditojnë më, atëherë qeveria kujtohet të hapë arkën e vet.

Ndërkohë, rreziqet për buxhetin e shtetit po shtohen. Buxheti nuk po i jep KESH-it para, por po i jep garanci. Garancia i lejon KESH-it të marrë kredi të reja në banka dhe këto të fundit do t’ia kërkojnë paratë qeverisë, por jo tani.

Do t’ia kërkojnë ndoshta vitin e ardhshëm. Ndërsa borxhet e KESH-it shtohen, CEZ Shpërndarje ka filluar procedurën për të dënuar Entin Rregullator në gjyq arbitrazhi dhe në rast se fiton, gjë që ka shumë gjasa të ndodhë, do të kërkojë dhjetëra milionë euro drejtpërsëdrejti nga buxheti i shtetit.

Kriza energjetike, që dihej nga të gjithë ekspertët se kur do të mbërrinte dhe çfarë përmasash mund të kishte, po shitet nga qeveria si një ngjarje e papritur dhe e paprecedent në histori.

“Këto muaj kanë qenë muajt më të vështirë në historinë e vendit për sistemin energjetik”, – deklaroi Kryeministri Sali Berisha javën e kaluar. Të njëjtën deklaratë mbi ekzistencën e një fatkeqësie historike të papritur e të paparashikueshme, qeveria e tij e bëri edhe në dimrin e vitit 2005, në dimrin e vitit 2006 dhe përgjatë të gjithë vitit 2007.

Në fakt, të gjitha krizat qenë të paralajmëruara. Por kjo aktualja po merr përmasa shumë të mëdha. Dhe ndryshe nga e shkuara, kur buxheti jepte para drejtpërsëdrejti për KESH-in, kësaj here, kostoja e krizës po shtyhet për më vonë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA