Gjermania pritet të mbështesë një marrëveshje të dytë për borxhin madhor ndaj Greqisë, pavarësisht kundërshtisë së disa Ministrave të Merkel.

Ministri i Brendshëm, Hans-Peter Friedrich, i një partie në koalicion, i ka kërkuar hapur Greqisë që të shpallë falimentimin dhe të largohet nga Eurozona.

Nëse projekti për një kredi madhore prej 130 miliardë eurosh për Greqinë do të shkojë deri në fund, Gjermania do të jetë shteti që do të paguajë më shumë se kushdo tjetër.

Sipas korrespondentit të BBC-së në Berlin, Stephen Evans, pritet që Dhoma e Ulët e Bundestagut të aprovojë pa shumë vështirësi marrëveshjen, por plani mund të ndeshë vështirësi më të mëdha për të kaluar në Senat.

Sondazhet tregojnë se shumica e gjermanëve janë kundër ratifikimit të marrëveshjes dhe ditën e hënë, e përditshmja me tirazhin më të madh në vend, “Bild”, hapi faqen e saj të parë me titullin “STOP”, i cili plotësohej nga mbititulli: “Jo 130 miliardëve për grekët”.

Vetë Ministri i Financave, Wolfgang Schauble, i Partisë Kristian-Demokrate Gjermane, të kancelares, gjithashtu ka pranuar se “nuk ka garanci se rruga e zgjedhur do të çojë drejt suksesit”.

Njëkohësisht, në një intervistë të publikuar nga “Der Spiegel”, Friedrich argumentoi se “shanset e Greqisë për një rikuperim ekonomik do të ishin më të mira nëse do të braktiste monedhën e përbashkët euro”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA