Pas tri muajsh pa rroga, një grupim i Sindikatave të Naftëtarëve ka nënshkruar një peticion drejtuar Kryeministrit të vendit, Sali Berisha, ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, kreut të Këshillit Mbikëqyrës të “Albpetrolit”, Giedjon Rahovica, si dhe drejtorit të përgjithshëm të kompanisë “Albpetrol”, Ferdinand Murati.
Lajmin e raportoi gazeta “Shqip” në numrin e saj të ditës së dielë. Në peticion kërkohet ndërhyrja sa më e shpejtë për zgjidhjen e shqetësimit tremujor të vonesës së pagave.
Kryetarët dhe anëtarët e sindikatave sqarojnë faktin se prej rreth tre muajsh nuk kanë marrë pagat mujore, duke i vendosur ata dhe familjet e tyre në kushte të vështira ekonomike.
Ndërkaq, ata theksojnë se edhe pse i janë drejtuar më parë me shkresë zyrtare, më datë 23 janar të këtij viti, kompanisë në fjalë për zgjidhjen e këtij shqetësimi, nuk kanë marrë përgjigje.
Sindikalistët kanë sqaruar më tej se, nëse rreth 3000 punonjësve të “Albpetrolit” nuk u jepen pagesat mujore të prapambetura, atëherë ata do të përdorin çdo mjet demokratik dhe ligjor për përfitimin e tyre.
Pas peticionit të Sindikatës së Naftëtarëve, ka reaguar për mediat edhe drejtori i kompanisë “Albpetrol”, Ferdinand Murati. Ky i fundit ka hedhur poshtë akuzat për mosimpenjim të drejtuesve të kompanisë për shlyerjen e pagave.
Ndërsa ka shpjeguar se vonesa e pagesave të tre muajve të fundit ka ardhur si pasojë e mosshitjes së naftës së prodhuar prej kompanisë. Sipas Muratit, prodhimi mund të garantojë jo vetëm të ardhura për kompaninë “Albpetrol”, por edhe pagën për çdo punonjës të kësaj kompanie për një periudhë njëvjeçare.
Më tej, drejtuesi i “Albpetrolit” është shprehur se gjithë punonjësve të kësaj kompanie u është akorduar edhe një pagë shtesë me rastin e fundvitit. Gjithashtu, ai shtoi se prej ditës së djeshme është çelur në bankë një pagë mujore, ndërsa premtoi se në mesin e javës së ardhshme shqetësimi i ngritur prej Sindikatës së Naftëtarëve do të marrë rrugëzgjidhje.
Gazeta “Shqip” e ka denoncuar edhe më parë këtë shqetësim të punonjësve të kompanisë “Albpetrol”. Ndërkaq, nga burime pranë këtij institucioni mësohet se vonesa e pagave nuk është i vetmi shqetësim i naftëtarëve të punësuar aty.
Kjo, pasi pritet që me nisjen e procedurave të privatizimit, të nxirren në asistencë pjesa më e madhe e punëtorëve, rreth 2000 prej tyre. Kompania “Albpetrol” pritet që së shpejti të privatizohet dhe ai që do ta blejë këtë shoqëri naftënxjerrëse, do të ketë atributet e shtetit.
Të paktën kështu ka deklaruar para mediave në Komisionin e Ekonomisë, zv.ministri i Ekonomisë, Eno Bozdo.
Top Channel