Pas reagimeve të mëdha që shkaktoi në opinionin publik të vendit lajmi se një deputet i parlamentit grek ka nxjerrë në maj të vitit 2010 një milion euro në një llogari bankare jashtë Greqisë nga frika e falimentimit dhe e kthimit në dhrahmi, një publikim i gazetës ‘Ethnos’ të së dielës i hedh benzinë zjarrit të krijuar.
Sipas artikullit që i referohet kontrolleve të Ministrisë së Financave, janë më shumë se 40 deputetë të parlamentit që kanë çuar jashtë shtetit paratë e tyre. Lajmin e ka konfirmuar edhe ministri i financave Venizelos në parlament që ka deklaruar se do të hetohet për çdo rast në veçanti.
Bëhet fjalë për remitanca prej më shumë se 100.000 euro të dërguara në bankat e huaja, ndërsa nuk janë të paktë ata që kanë çuar paratë e tyre jashtë duke përdorur madje edhe degën bankare që ndodhet brenda ambjenteve të Parlamentit.
Lajmi krijon zhgënjim akoma më të madh tek grekët e thjeshtë që shohin se ligjvënësit që ata kanë zgjedhur për të mos lejuar vendin të zhytej më thellë në batakun e krizës ekonomike dhe të mos falimentonte, ishin të parët që qysh prej vitit 2010 filluan të nxjerrin paratë e tyre jashtë shtetit me frikën e dëbimit nga Eurozona dhe kthimit në dhrahmi.
Madje dy muaj më parë asnjë prej 300 deputetëve grekë nuk ka deklaruar depozita parash jashtë shtetit për vitin 2009, kështu që ngelet për tu parë nëse paratë e dërguara janë të ligjshme apo jo.
Greqia është kritikuar shumë herë për dobësinë e saj në kontrollin e evazionit fiskal që thuhet se arrin vlerën prej 30 miliardë eurosh në vit. Në ditët në vijim pritet një grup prej 160 specialistësh gjermanë të cilët do të përforcojnë sistemin e tatim-taksave në Greqi që përballon shumë vështirësi duke mos mundur të zbulojë të ardhurat e fshehura të një pjese të madhe të mjekëve, avokatëve, inxhinierëve apo të bizneseve të vogla.
Venizellos u ka bërë thirrje politikanëve dhe të afërmve të tyre që sapo të përfundojë programi i shkëmbimit të bonove dhe i rikapitalizimit të bankave, të ndërmarrin një fushatë sensibilizimi për të kthyer ata të parët paratë e depozituara jashtë Greqise në këto dy vjet, duke i hapur rrugë kthimit të më shumë se 63 miliardë eurove që kanë ikur prej bankave greke nga frika e falimentimit.
Top Channel