CEZ shton kufizimet, tjetër javë pa drita

26/02/2012 08:15

Rrjeti i dobët elektrik vijon të mbetet shkaku kryesor i defekteve në nënstacionet që menaxhohen nga CEZ Shpërndarja, duke detyruar kompaninë të stakojë linjat dhe të ndërpresë furnizimin me energji elektrike.

Qeveria shqiptare, bashkë me KESH-in, kanë hyrë në borxhe për t’i siguruar vendit furnizim 24 orë pa ndërprerje, por problemet me rrjetin e CEZ-it sfumojnë mundimin e shpenzimeve me paratë e taksapaguesve shqiptarë, raportoi ditën e dielë e përditshmja “Shqip”.

Kompania çeke njoftoi dje se një pjesë e vendit, kryesisht jugu dhe rrethinat e Tiranës, do të kenë ndërprerje të energjisë elektrike për të paktën 4 orë në ditë. Kufizimet do të jenë të shpërndara me anë të një grafiku dhe nisin në datën 27 shkurt deri më 2 mars.

“Në kuadër të përmirësimit të rrjetit tonë energjetik, CEZ Shpërndarje do të ndërmarrë këtë javë një sërë remontesh në zona të ndryshme të Shqipërisë. Për shkak të këtyre remonteve, në disa zona do të ketë edhe stakime të energjisë elektrike”, ishte njoftimi zyrtar i kompanisë.

Prej kohësh, CEZ paralajmëron ndërprerjen e dritave me argumentin e përmirësimit të rrjetit, duke e shoqëruar bashkë me grafikun dhe nënstacionet se ku do të ndërhyhet, por, nga ana tjetër, nuk e bën të ditur vleftën e investimit, pra sa shpenzon për riparimin e linjës.

Çështja e investimeve të CEZ-it ka shqetësuar gjithnjë autoritetet kompetente të mbikëqyrjes, ku sipas ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, nuk kanë munguar edhe gjobat deri në 1 milion euro.
 
Kufizimet e shpeshta

Si Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), e cila menaxhohet nga shteti në masën 100 për qind, ashtu dhe CEZ, pronë e çekëve në masën 76 për qind, janë treguar të paqartë rreth stakimit të energjisë dhe shkakut të defektit, ku në jo pak raste përgjegjësinë ia kanë kaluar njëra-tjetrës.

Premtimi i Kryeministrit Berisha dhe garancia e ministrit të Ekonomisë, Naço, për furnizim 24 orë në 24 me energji elektrike, duket se po thyhet nga mungesa e korrektësisë së kompanive që menaxhojnë linjat, ku përgjegjësia më e madhe i takon CEZ-it.

Vetë shoqëria pranon se rrjeti është tejet i amortizuar dhe se kërkon investime të mëdha, e ku ndryshimi nuk mund të jetë i menjëhershëm, por duke pasur parasysh faktin se këtë justifikim e japin prej tre vitesh sa janë në Shqipëri, i bën të pabesueshëm.

Një pjesë e vendit javës tjetër do të mbetet pa energji elektrike, për të paktën 4 orë në ditë, të ndara sipas zonave, në datat 27 shkurt-2 mars. Mungesa e dritave do të ndihet edhe në rrethinat e Tiranës. Këto janë ndërprerje të paralajmëruara, sikurse e kërkon kontrata e re me konsumatorin, por nuk përjashtohen edhe ato kufizime që vijnë për shkaqe nga “palë të treta”.

Investimet e para

CEZ-i ka marrë nga bankat 30 milionë euro për të investuar në forcimin e kapaciteteve të transmetimit të energjisë elektrike. Sipas ministrit të Ekonomisë, shoqëria është e angazhuar të marrë edhe 70 milionë euro të tjera, gjithnjë në drejtim të përmirësimit të linjave dhe rrjetit.

Këto plane të bën të mendosh se CEZ e ka seriozisht qëndrimin në Shqipëri dhe se “diçka pa ndryshon”. Drejtues të lartë, si nga ERE, METE apo dhe Ministria e Financave, thonë se investimet e planifikuara nga CEZ janë më konkretet e realizuara ndonjëherë, pasi në tre vjet shoqëria është mjaftuar vetëm me shtrim kabllosh, ngritje zyrash të reja etj., ndërsa me infrastrukturën bazë, pak është bërë.
 
Në vitin 2011, CEZ investoi afro 20 milionë euro, ose më pak se gjysma e fondit të planifikuar, për shkak se BERZH dhe IFC nuk i akordoi kredinë e premtuar në rast se ERE pranonte rritjen e çmimit.

Për këtë vit, sipas raportit me planin e investimeve të paraqitur nga Enti Rregullator, kompania thotë se do të shpenzojë 40 milionë euro, por pa bërë publike sektorët se ku do të ndërhyhet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA