Drejtoria për hetimin e krimeve të rënda në Policinë e Kosovës ka arrestuar gjashtë serbë në komunën e Gjilanit, të cilët punonin për llogari të Ministrisë së Brendshme serbe.

Sipas raportimeve të “REL”, agjentët e policisë, të ndihmuar nga kolegët e njësisë së operacioneve speciale, kanë bastisur gjithashtu në orët e para të mëngjesit shtatë lokacione.

Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe konfiskuar në cilësinë e provës materiale armë dhe dokumenta të falsifikuara, bën të ditur burimi mediatik.

Mësohet se serbët e arrestuar, të identifikuar si Z. Deniç, M. Dimitrieviç, T. Deniç, N. Trajkoviç, D. Stojkoviç dhe G. Matrapazoviç pajisnin me dokumente ilegale shoferët serbë.

Operacioni i sotëm është zhvilluar pas informacioneve të mbledhura më parë nga Drejtoria për hetimin e krimeve të rënda, se struktura ilegale të organizuara të Ministrisë së Brendshme serbe po kryenin aktivitete kriminale në Kosovë.

Ndërhyrja e policisë dhe njësisë ROSU ka ardhur pas lëshimit të urdhër-arrestit nga prokuroria e qarkut të Gjilanit, që mbikëqyri nga afër hetimet dhe vetë operacionin.

Serbët e arrestuar akuzohen për veprat penale të “sulmit kundër rendit juridik të Kosovës” dhe “pengim të zyrtarëve publikë në kryerjen e detyrës”, njofton më tej “REL”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA