Partia opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, duke komentuar marrëveshjen e së premtes dhe ato të mëhershmet me Serbinë, ka vlerësuar se gjërat nuk po bëhen ashtu siç duhet.
Nënkryetari i AAK-së, Ahmeti Isufi ka deklaruar se qëndrimi i Kosovës dhe mënyra e përfaqësimit të saj në nismat rajonale e kthejnë atë në kohën e UNMIK-ut.
“Kthimi i rezolutës 1244 është rikonfirmim i pranisë së UNMIK-ut. Ndërsa mungesa e “republikës” në prezantim cënon arritjet e deritanishme të Kosovës”, ka deklaruar Isufi për “REL”.
Edhe partitë e tjera opozitare kundërshtuan më herët marrëveshjen e arritur në Bruksel me Serbinë, pavarësisht se ajo u vlerësua nga faktori ndërkombëtar.
LDK: Përfaqësim me emrin kushtetues
Lidhja Demokratike e Kosovës deklaroi se Kosova në nismat rajonale duhet të paraqitet si shtet i pavarur, sovran dhe me emrin e saj kushtetutes.
“LDK vlerëson se aspirata historike e popullit të Kosovës për integrime mund të arrihet vetëm duke i forcuar institucionet e pavarura të vendit, demokracinë dhe pavarësinë e vendit brenda dhe në raportet ndërkombëtare”, reagoi LDK përmes një komunikate.
Partia e drejtuar nga Isa Mustafa ritheksoi gjithashtu përkushtimin e saj për perspektivën evropiane dhe euro-atlantike të Kosovës, si dhe rikonfirmoi miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara.
Vetëvendosje, demonstratë kundër marrëveshjes
Më radikal ishte qëndrimi i lëvizjes Vetëvendosje, e cila paralajmëroi mbajtjen e një demonstrate kundër marrëveshjes, që sipas saj “privatizon Kosovën”.
Vetëvendosje njoftoi se demonstrata do të mbahet më 27 shkurt duke filluar nga ora 12, para selisë së qeverisë. Vetë kreu i saj, Albin Kurti deklaroi në një konferencë për shtyp, se për 4 orë rresht do të pezullohet puna e qeverisë së Kosovës.
Ai e cilësoi marrëveshjen në Bruksel si një marrëveshje personale të kryeministrit Hashim Thaçi, dhe për këtë arsye ftoi institucionet që të mos e respektojnë atë.
Ndërsa, duke folur për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit, shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri tha se deri më tani kanë mbledhur 15 nënshkrime, 12 prej të cilave janë të deputetëve të Vetëvendosjes.
Ai shtoi se, nëse deri të shtunën nuk i mbledhin 40 nënshkrimet e domosdoshme për thirrjen e seancës, atëherë do të fillojnë me mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve të qytetarëve për këtë gjë.
Top Channel