Presidenti serb, Boris Tadiç e ka vlerësuar marrëveshjen me Kosovën si një arritje për politikën serbe.
Ai ka thënë se më këtë pakt është konfirmuar politika “edhe Evropa edhe Kosova” dhe se Kosova nuk përfaqësohet si shtet, por vetëm në kuadër të Kombeve të Bashkuara.
“Kosova nuk do të përfaqësohet në forumet rajonale si e pavarur për në pajtueshmëri me rezolutën 1244 dhe Serbia e respekton këtë, pasi ajo garanton sovranitetin e saj në Kosovë dhe mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk e cenon këtë”, ka thënë Tadiç duke shtuar se Serbia nuk ka patur për qëllim të bllokojë Kosovën.
“Në këtë mënyrë populli ynë në Kosovë do të mund të realizojë mbështetje dhe prosperitet sikurse të gjithë qytetarët e tjerë të rajonit”, ka thënë ai.
Analistët serbë këtë marrëveshje e kanë vlerësuar si një kompromis të vërtetë duke pasur parasysh një diplomaci të vështirë të ditëve të bisedimeve.
Ndërsa partitë opozitare të krahut nacionalist e kanë vlerësuar atë si një tradhti të jashtëzakonshme, me të cilën edhe njëherë konfirmohet se shteti serb është duke e njohur pavarësinë e Kosovës, duke i dhënë asaj të drejtë të paraqitet si subjekt i veçantë në proceset rajonale.
Serbia pret që nga kjo marrëveshje të ketë rezultat pozitiv për statusin e kandidatit.
Top Channel