Rritja e shpejtë e çmimeve të gazit të lëngshëm në Shqipëri gjatë viteve të fundit, si dhe mbajtja konstante të çmimit të energjisë elektrike ka bërë që për shumë familje dhe biznese, përdorimi i gazit të jetë me më pak leverdi se sa përdorimi i energjisë apo druve të zjarrit.
Shqipëria po përballet me një vit tjetër të vështirë energjetik me prodhim të paktë dhe importe të shtrenjta dhe në një situatë normale, përdorimi i gazit natyror mund të sillte lehtësim. Por siç raportoi të premten e përditshmja “Shqip”, kjo gjë nuk po ndodh.
Çmimi i gazit është aktualisht 160 lekë për kg dhe gazi natyror ka rreth 58 mega jaul (MJ) për kilogram energji. Një MJ e përfituar nga gazi natyror kushton kështu 2.74 lekë.
Gjatë ditëve të fundit është njoftuar se çmimi i gazit për gatim e ngrohje mund të shkojë edhe 170 apo 180 lekë për kg. Ndërkohë, energjia elektrike në Shqipëri kushton mesatarisht 9.53 lekë për kËh, dhe një kËh ka 3.6 MJ. Çdo MJ energji elektrike kushton kështu 2.65 lekë ose 3 për qind më lirë se sa gazi natyror.
Këto janë të dhënat për gazin e cilësisë sipas standardeve ndërkombëtare. Duke marrë parasysh se gazi natyror që shitet në Shqipëri është zakonisht me cilësi më të keqe dhe rrjedhimisht ka më pak energji, diferenca në kosto me elektricitetin është edhe më e madhe.
Gazi
Tregu i gazit në Shqipëri është kanalizuar me urdhër të qeverisë në vetëm një impiant shkarkimi në Porto Romano. Gjatë verës së kaluar, u shënuan disa raste të bllokimit të importimit nga kompani të ndryshme.
Autoriteti i Konkurrencës kërkoi lejimin e importeve, por kjo gjë nuk duket se e zgjidhi situatën përfundimisht. Në praktikë, qeveria ka krijuar me vendim të saj një situatë me konkurrencë të kufizuar në tregun e importimit të gazit të lëngshëm. Nuk është e qartë nëse rritja e çmimit të gazit është pasojë e drejtpërdrejtë e kufizimit të konkurrencës apo ka faktorë të tjerë.
Elektriciteti
Nga ana tjetër, Enti Rregullator i Energjisë vendosi dhjetorin e kaluar të mos e rrisë çmimin final të elektricitetit për konsumatorët familjarë e bizneset, pavarësisht faktit që kostot e elektricitetit këtë vit janë shumë më të larta se sa vitin e kaluar.
KESH-it nuk iu pranua kërkesa për rritjen e nevojshme të çmimit për të paguar importet e energjisë. Rrjedhimisht, këto importe do të duhet të mbulohen nga buxheti i shtetit.
Ndërkohë, shqiptarët kanë shfaqur tendencën të kalojnë nga ngrohja e gatimi me gaz drejt ngrohjes e gatimit me energji elektrike, për shkak se problemet e shumta gjatë dekadës së fundit kanë bërë që çdo familje të ketë paralelisht set pajisjesh me gaz dhe me elektricitet.
Eksperienca botërore
Në të gjithë Europën Perëndimore, përdorimi i gazit për shumë aplikime shtëpiake është më i lirë se sa përdorimi i energjisë elektrike. Gazi përdoret për ujë të ngrohtë, ngrohje apo gatim ndërsa elektriciteti përdoret për ndriçim, larje rrobash e të tjera.
Elektriciteti është në vetvete shumë shpesh nënprodukt i gazit. Gjatë transformimit nga gaz në elektricitet, kostoja e energjisë së përfituar rritet me 30-50 për qind. Për këtë arsye, zëvendësimi i energjisë elektrike me gaz, aty ku është e mundur, sjell kursim masiv të kostos.
Por ka edhe përjashtime nga ky rregull. Vendet ku prodhimi i energjisë elektrike është nga hidrocentralet apo nga centralet bërthamore, kanë më me leverdi përdorimin e elektricitetit se sa atë të gazit.
Shqipëria është diku në mes. Prodhimi i energjisë është me hidrocentrale dhe shumë i lirë, por një pjesë e madhe e elektricitetit importohet dhe është i shtrenjtë.
Mosrritja e çmimit të elektricitetit në përputhje me rritjen e kostove gjatë këtij viti sjell një faturë më të lartë kombëtare. Kombinuar kjo me kufizimet në importet e gazit natyror, kostoja rritet edhe më tej.
Top Channel