Ka dalë para gjykatës i dyshuari për vrasjen me paramendim të bashkëshortes së tij Eleni Basho, Ilia Basho, i arrestuar pak ditë më parë nga policia e kryeqytetit si njeriu që ka porositur një shtetas tjetër për të vrarë të shoqen.

Gjykatësi Altin Shkurti e vlerësoi të ligjshëm ndalimin e 38-vjeçarit, duke pranuar kërkesën e prokurorit Etien Kapo për ta lënë në burg pa afat.

“Shtetasja Eleni Basho u vra disa metra larg shtëpisë nga një person me dy plumba”, ka deklaruar gjatë seancës gjyqtari Altin Shkurti.

Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, për shkak të sekretit hetimor dhe mos publikimit të disa personave të tjerë që janë të dyshuar dhe nën hetim.

Në përfundim të seancës së vlerësimit të ndalimit, avokati Lazar Sokoli këmbënguli se kilenti i tij Ilia Basho është i pafajshëm dhe se nuk ka prova. “Klienti im është i pastër”, tha shkurt avokati.

Sipas avokatit, vetë klienti i tij është i interesuar të mësojë kush është njeriu që i vrau bashkëshorten. Sipas versionit të policisë dhe të prokurorisë, i dyshuari kryesor i vrasjes së Eleni Bashos, personi nën hetim Ilia Basho del i implikuar në vrasje nga komunikimet telefonike, por edhe të tjera fakte.

Prokuroria ka si kartë përdorimin e metodave speciale të hetimit siç janë përgjimet ambjentale dhe telefonike pas vrasjes së gruas, por edhe faktin se çifti ka qenë në një marrëdhënie të tensionuar dhe konfiktuale së fundmi.

Jo zyrtarisht, sipas prokurorisë, fillimisht janë ngritur të gjitha pistat që më pas u rrëzuan njëra pas tjetrës, duke e ngushtuar rrethin në vetëm një pistë, në atë të vrasjes së pasionit.

Nëse konfirmohet që autor i vrasjës është Ilia Basho, atëherë organit të hetimit do t’i duhet të saktësojë edhe motivet e kësaj ngjarjeje, nëse bëhet fjalë për një histori jashtëmartesore të burrit, i cili në prag të divorcit eliminoi gruan për shkak të ndarjes së pasurisë.

Eleni Basho, 33 vjeç, u qëllua ndërsa po kthehej në banesën e saj në Shkozë gjatë mbrëmjes së dy shkurtit nga një person që u tregua i aftë të linte shumë pak prova në vendngjarje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB