Efektet e normës së interesit

24/02/2012 15:40

Në shtator të vitit të kaluar Banka e Shqipërisë nisi një fushatë agresive për të lehtësuar politikën monetare. Norma bazë e interesit, edhe pse ishte në nivelet më të ulëta, u zvogëlua edhe tre herë të tjera duke zbritur në janar në minimumin historik 4.5 për qind.

Qëllimi i kësaj ndërhyjeje ishte nxitja e kredisë për ekonominë dhe inkurajimi i konsumit për të mos lejuar që rritja ekonomike të binte edhe më shumë. Por cilat kanë qenë efektet?

Të dhëna të Bankës së Shqipërisë tregojnë se ulja e normës bazë nuk është përcjellë në treg. Interesat për kreditë mbeten në të njëtat nivele dhe madje edhe ritmi i rritjes së kredisë vazhdon të jetë i ulët, njëlloj si më parë.

Veç këtyre ka dhe një tjetër sinjal që dëshmon se masat e bankës për të nxitur ekonominë nuk po përcillen në treg.

Në vrojtimin e fundit të kreditimit, që banka publikoi pak javë më parë, rezulton se bankat private kanë vazhduar të shtrëngojnë kredinë për biznesin dhe indvidët.

Ekspertët: Kriza dhe qeveria zbehin lehtësimin e kredive

Ekspertët thonë se norma bazë e interesit nuk funksion plotësisht në kohë të vështira ekonomike. “Norma bazë është një instrument i mirë për kohë normale, por nuk funksionon në kohë jonormale. Këtë po e provon më së miri ekonomia europiane dhe ajo amerikane, ku edhe pse jemi me norma negative sërish ndikimi në kërkesë është minimal”, deklaron eksperti Selami Xhepa.

Edhe Gjergj Filipi, i institutit Axhenda, ndan të njëjtin mendim, por thotë se në rastin e Shqipërisë efektet pozitive të uljes së normës kushtëzohen nga politikat e qeverisë.

“Kjo është e lidhur me faktin që bankat kanë pasiguri për normat e interesit, që është e justifikuar me gënjeshtrat e faktorëve që kanë shkaktuar humbjen e besimit të orientuesit në mbarë vendin”, thotë Filipi.

Megjithatë, të dy ekspertët ndajnë të njëjtin opinion kur thonë se ulja e normës duhet të shoqërohet me ristrukturimin e kredive në mënyre që ekonomia të mund të përfitonte më shumë.

“Nuk bëhet fjalë për të fshirë nga portofoli kompanitë kur ato janë në gjendje falimentimi. Kur ato janë në këtë situatë është në interes të bankës që të shkurtojë normat e interesit”, thotë Xhepa.

“Bankat e nivelit të dytë duhet të kenë kujdes që në këto momente krize, njerëzve të mos u ngarkohen norma të larta interesi”, thotë Filipi.

Megjithatë, vetëm politika monetare nuk mund të jetë ilaçi magjik. Rritja ekonomike më shumë varet nga të tjera politika. “Politikat e mbështetjes së eksporteve, agrikulturës, bujqësisë, këto janë nxitja e rritjes ekonomike”, sqaron Filipi.

Por kriza ka edhe mësimet e saj. “Atë që të gjitha politikat kanë kufizimet e tyre dhe se rritja ekonomike nuk mund të stimulohet në mënyrë të sforcuar. Pra, zhvillimi ekonomik do ndjekë rrjedhën e tij”, saktëson më tej Xhepa.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA