Lufta gjeopolitike për krijimin e Korridorit të Jugut të furnizimit të Europës me energji u zhvendos dje në Athinë, ku qeveria greke zyrtarisht refuzoi të mbështesë projektin Trans- Adriatik, ndërkohë që DEPA, kompania e gazit nën pronësi shtetërore, kërkoi të blinte një paketë prej 15 për qind të aksioneve të projektit që ka shanset më të mëdha për të fituar.
Agjencia e lajmeve “Bloomberg” njoftoi se, DEPA ka hedhur jozyrtarisht në media kërkesën për blerjen e aksioneve, ndërsa zëdhënësi i projektit TAP ka konfirmuar për gazetën ‘Kathimerini’ se pranon të fillojë bisedimet. Ndërkohë, TAP ka ende kundërshtimin zyrtar të qeverisë italiane dhe kompanisë ‘Edison’.
Në Tiranë, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se shanset e TAP janë rritur, por do të duhen edhe disa muaj kohë para se vendimi final të merret. Qeveria e tij ka mbështetur publikisht TAP, por pesha e Shqipërisë është shumë e vogël për të pasur ndikim në skakierën e tregut botëror të gazit.
“Unë i kam parë titujt e gazetave, por përzgjedhja është një proces që finalizohet në muajt që vijnë. Ne jemi të vendosur e të përgatitur të bëjmë gjithçka për suksesin e këtij projekti, në rast se konsorciumi ‘Shah Deniz 2’ e zgjedh këtë si projektin më të mirë për të sjellë gazin e Kaspikut dhe më vonë, edhe më tutje, atë azer e më vonë, më tutje në Europën Perëndimore”, – u shpreh Kryeministri.
Sqarim surprizë nga BP
Ndërkohë, dje, gjiganti ‘British Petroleum’ bëri një sqarim. Pyetur nga ‘Bloomberg’, zëdhënësi Tamam Bayatli tha se, nga mesi i këtij viti, konsorciumi ‘Shah Deniz’ do të zgjedhë mes projektit ‘Nabucco’ dhe atij SEEP.
Fituesi mes këtyre të dyve do të duhet të konkurrojë me TAP dhe vendimi final pritet të merret nga mesi i vitit 2013. Sipas zëdhënësit, BP beson se SEEP është konkurrenti më i mirë në krahasim me ‘Nabucco’.
Por BP ka vetëm 25.5 për qind të aksioneve të konsorciumit ‘Shah Deniz’. Bisedimet për përzgjedhjen e projektit, sipas ‘Bloomberg’, po udhëhiqen nga ‘Socar’, kompania shtetërore azerbajxhanase e naftës dhe gazit, e cila zotëron 10 për qind të aksioneve të vendburimit të njohur si ‘Shah Deniz II’.
Projekti ‘Nabucco’, i cili ka mbështetjen zyrtare të Bashkimit Europian dhe veçanërisht Francës, është aktualisht nën udhëheqjen e kompanisë austriake OMV.
Plani i saj fillestar qe krijimi i një megatubacioni me shumë hyrje dhe me shumë dalje. Shumë hyrjet në zonën e Kaspikut do të krijonin një treg me shumë shitës: Iraku, Azerbajxhani, Turkmenistani dhe në një të ardhme, edhe Irani. Në Europën Qendrore, tubacioni do të ndahej në drejtim të Austrisë, Italisë, Hungarisë e më tutje në Europën Veriore e Perëndimore.
Por Azerbajxhani në bashkëpunim me aleatin e vet strategjik, Turqinë, njoftoi se do të ndërtojë një tubacion më vete për të lidhur dy vendet. Kjo heq burimin më të sigurt të gazit për ‘Nabucco’ dhe e zvogëlon si projekt.
“Sa më pak të shpenzoj për ta pasur gazin, aq më i lumtur jam”, – komentoi në Vjenë drejtori i OMV, Gerhard Roiss. Sipas tij, ‘Nabucco’ mund të fillojë tashmë në Turqi në vend që të fillojë drejtpërsëdrejti në Azerbajxhan.
“Shah Deniz II”, burimi i “vogël”, por vendimtar
“Shah Deniz” është një fushë gazmbajtëse në detin Kaspik që u zbulua në vitin 1999. Ajo vlerësohet se ka 240-480 miliardë metër kub gaz, e barasvlefshme me 1.5 – 3 miliardë fuçi naftë.
Bota konsumon mesatarisht çdo ditë, 100 milionë fuçi naftë dhe rrjedhimisht, vendburimi i ‘Shah Deniz’ nuk është me përmasa të konsiderueshme.
Por fakti është që ky është vendburimi më i zhvilluar dhe komercializimi i tij krijon nevojën për një gazsjellës që fillimisht do të jetë i vogël, por që me t’u ndërtuar, do të ketë mundësi të dyfishojë kapacitetin kur të lindë nevoja, duke shmangur projektet alternative.
Për këtë arsye, ‘Shah Deniz’ dhe gazsjellësi fitues i garës për transportimin e gazit të këtij burimi, kanë marrë një rëndësi të madhe. Në zonën e detit Kaspik ka burime të tjera gazi, ku më të rëndësishmet gjenden në Turkmenistan.
Nga gazeta “Shqip”
Top Channel