Banka Botërore ka shprehur shqetësimin e saj në raportin e fundit mbi pronat, duke evidentuar shumë probleme me sektorin, veçanërisht te legalizimet.
Në gazetën ‘Shqip’ publikohet se sipas ekspertëve të BB-së, deri tani kanë mundur të marrin tapitë e legalizimeve vetëm 4504 pronarë, kur, nga ana tjetër, kanë aplikuar 270 mijë vetë. Raporti vëren se Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave të Ndërtimeve Informale ose ALUIZNI, ka marrë burime të bollshme financiare që paguhen nga taksapaguesit, por procesi ka ecur tejet ngadalë në raport me koston e kësaj ngrehine institucionale.
Njëra anë e dështimit i dedikohet mungesës së parave. Kur dikush premton tokë falas, vështirë se kjo mund të rezultojë e vërtetë. Por një pjesë tjetër e dështimit duket se nuk ka lidhje me paratë. Rreth një e treta e ndërtimeve pa leje, sipas raportit të Bankës Botërore, janë ndërtime pa leje në pronë të vet dhe në një rast të tillë, nuk ka kosto kompensimi.
Megjithatë, procesi nuk ecën. “Procesi i legalizimit ka ecur ngadalë përkundër burimeve që i janë kushtuar. ALUIZNI është një organizatë e madhe dhe e pajisur mirë me burime, kostot operative të së cilës i mbulon buxheti i shtetit”, thotë raporti. Megjithatë, vetëm 4500 subjekte në 270 mijë të tilla ose vetëm 1.7 për qind e aplikantëve kanë mbaruar punë.
“Agjencia ka njohuri teknike për vrojtimet topografike, bërjen e hartave, aspektet juridike dhe ato urbanistike dhe ka prodhuar harta moderne të kompjuterizuara për të gjithë vendin në bazë të fotografive ajrore të bëra në vitin 2006.
ALUIZNI ka prodhuar harta të kompjuterizuara për shumicën e pronave, për të cilat ka marrë kërkesë legalizimi. Megjithatë, ka përfunduar vetëm një përqindje e vogël e legalizimeve, titujt e të cilave janë regjistruar nga ZRPP-ja”, thuhet në raport.
Top Channel