Situata e rënduar e transportit hekurudhor ka bindur njërin prej donatorëve më të rëndësishëm për të ndihmuar qeverinë shqiptare për rikthimin e traditës për të udhëtuar me tren.
BERZH është institucioni që ka pranuar të asistojë Ministrinë e Transportit për hartimin e dy studimeve, në mënyrë që të identifikohet më qartë forma sesi do të ndërhyhet, dhe më pas vënia në zbatim të opsionit për dhënien me koncesion.
Zv/ministri i Transporteve, Ernest Noka, thotë për “Shqip”, se projekti është tepër i rëndësishëm për zhvillimin e transportit në vend.
Projekti
Paraprakisht, BERZH-i ka hartuar një raport, ku veçon gjendjen kritike të trenave në vend, përfshi linjat e transportit dhe sinjalistika.
“Linjat janë në gjendje pune, por në kushte shumë të këqija. Pajisjet janë të vjetra dhe kanë nevojë për rinovime. Sistemi i sinjalizimit është pothuajse tërësisht përtej afatit të funksionimit”, thotë BERZH, duke bërë me përgjegjësi mungesën e fondeve të mjaftueshme për mirëmbajtjen e sektorit.
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim thotë, ndër të tjera, se trenat kanë nevojë për shërbim të rregullt dhe me cilësi, në mënyrë që të tërhiqen pasagjerët dhe të reduktohet mbingarkesa e rrugëve.
Aktualisht, numri i pasagjerëve ka rënë ndjeshëm, gati 10-fish, në raport me vitin 1994, ndërsa transporti hekurudhor përdoret kryesisht, tashmë, vetëm për ngarkesat e industrisë së çelikut, çimentos etj.
Objektivi i përgjithshëm i projektit është rigjallërimi i hekurudhave shqiptare, duke garantuar siguri, ku në fokus të veçantë do të jetë rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës-Tiranë.
Studimi dhe konsulenca e BERZH-it do t’i japë mundësi qeverisë të nxisë firmat private të investojnë, përmes skemës së koncesionit.
Në fillim, BERZH do të orientohet drejt vlerësimit financiar dhe ekonomik të të gjithë rrjetit hekurudhor, më pas studimi i trafikut, dhe në fund sektorët se ku mund të investohet (sipas segmenteve/pozicionit gjeografik). Projekti nis zbatimin në shtator të 2012-s dhe do të zgjasë nëntë muaj, kurse vlera e tij është rreth 1.2 milionë euro.
Gjendja
Aktualisht, infrastruktura e dobët ka larguar udhëtarët, duke e çuar numrin e tyre deri në 2 milionë në vit, kur vite më parë ishte disa herë më shumë.
Mungesa e fondeve dhe vetë tregu e bën sektorin hekurudhor më pak rentabël se linjat e tjera të transportit, aq sa çdo vit në bilancin ekonomik Drejtoria e Hekurudhave raporton humbje 1 milion euro.
Megjithatë, Ministria e Transporteve po mendon që të paktën për linjën Tiranë-Durrës, ku është e përqendruar gati 40 për qind e popullsisë, të vendosë kushte të reja udhëtimi, ku kryesori është shpejtësia e lëvizjes.
Sot trenat udhëtojnë me shpejtësi mesatare 35-40 km/h (rreth 10 herë më pak se në BE), kur dihet se kapaciteti është më i madh, për shkak se nuk kanë trafik dhe janë të sigurt.
Zv.ministri i Transporteve, Ernest Noka, njohës i mirë i sektorit hekurudhor, deklaroi pak kohë më parë se, është bërë një studim për linjën e trenave Tiranë-Durrës, dhe një projekt me synim vendosjen e sinjalistikës, masave të reja të sigurisë dhe lëvizjen me shpejtësi deri në 120 km/h.
Qeveria shqiptare jep nga buxheti në formë subvencioni gati 4 milionë euro çdo vit, ndërsa investimet arrijnë në 2 milionë euro, por sërish sektori del me humbje, ndërsa kushtet vijnë duke u përkeqësuar.
Tentativat për ta rikthyer sektorin në ditët e tij të lavdishme kanë qenë të shumta, ku nuk kanë munguar projektet dhe studimet, madje edhe kompani të huaja koncesionare, nga Sllovenia apo Estonia, por gjendja paraqitet aq kritike sa për ta vendosur në binarin e duhur na duhen disa miliarda euro.
Për të rikonstruktuar një kilometër linjë hekurudhore në zonat fushore duhen të paktën 3 milionë euro, kurse në zonat kodrinore 5 milionë, dhe në malore 8 milionë euro. “Me 440 kilometra linjë që kemi ne, do të na duhen 3 miliardë euro”, thotë Noka.
Top Channel