Kush thotë se të jesh single është depresuese? Këta të rinj mendojnë ndryshe. Ata janë të gjithë beqarë dhe të lirë të bëjnë ç’të duan, pa pasur detyrimin t’i japin llogari dikujt. Sot janë mbledhur të festojnë për statusin e tyre.
Sapo ka kaluar Shën Valentini, por dita e të dashuruarve nuk i ka lënë pa motiv celebrimi të vetmuarit. Të gjithë këta njerëz, biznesmenë, artistë, drejtues institucionesh të rëndësishme kanë organizuar festën e tyre.
“Është bukur të festosh me beqarët, gjen veten”, shprehet një vajzë.
Kjo natë beqarësh nuk është vetëm një festë që injoron vetminë, por edhe një mundësi e mirë për të tejkaluar statusin e këtyre njerëzve që sot motivin e bashkimit kanë beqarinë e tyre.
“Ideja është të mblidhen njerëz, të njihen, të krijojnë një marrëdhënie të re e ndoshta më pas mund të shkojë në diçka serioze”, thotë Gjergji.
“Janë festa më të “pastra”, janë të lirshme. Nuk lodhesh dhe mund të tregohesh e sinqertë”, shton Elda.
Në këtë rreth miqësor, siç tregon Elda dhe Gjergji, organizohen shpeshherë festa ku fjalkalimi hyrës është: single. Jo gjithmonë presin ndonjë datë apo ngjarje të caktuar, por mjafton dëshira dhe të gjithë janë bashkë në një ambjent, ku festohet, flitet dhe përtej miqësisë mund të krijohen lidhje të reja.
“Njerëzit duhet të jenë më shumë mendjehapur sepse mendojnë se kushedi çfarë bëhet në një festë beqarësh. Është vetëm një mundësi e mirë për të njohur njerëz të rinj. Këto festa nuk duhet të konsiderohen tabu”, shpjegon Gjergji.
Top Channel