Cilit mjek duhet t’i besojmë?

16/02/2012 19:00

Provimi i shtetit për të gjithë studentët e diplomuar të mjekësisë është i domosdoshëm për t’u pajisur me licensë. Është hera e parë në këtë vit që aplikohet kjo lloj praktike, si për universitetin publik, ashtu edhe për universitetet private.

Rezultatet sipas Urdhrit të Mjekëve janë: dentistët me notë mesatare 6.2, kurse mjekët me 7.3.

Por, nëse të gjithë ngrenë pikëpyetje për cilësinë e brezit të ri të mjekëve që dalin nga Fakulteti i Mjekësisë, studentët kanë argumentet e tyre për këto rezultate. Kështu na tregon Greta dhe Stela, dy nga vajzat që vazhdojnë vitin e katërt të mjekësisë.

“Provimi është i vështirë sepse aty përpiqen të kontrollojnë detajet më shumë se njohuritë”, shprehet Greta.

Ndërsa Stela shprehet: “Të bëhesh mjek nuk do të thotë të lexosh vetëm libra, por edhe të bësh praktikë. Mungesa e praktikës të pengon që të bësh detyrën ashtu siç duhet. Gjithashtu ne punojmë me fotokopje të librave të vitit 1973 dhe ky është problem sepse informacionet e kohëve të fundit nuk gjenden aty.”

Përgatitjes së gjashtë viteve studime, i shtohet edhe një draft prej 3000 pyetjesh të publikuara në internet.

“Nëse përgjatë gjashtë viteve ke dalë me rezultate të larta edhe në provim do dalësh mirë. Ka edhe një mundësi tjetër: ka 3 mijë pyetje online me alternativa të hartuara nga pedagogë dhe profesorë dhe prej këtyre 300 pyetje bien në provim. Nëse përgatitesh mirë është në dorën tënde”, shprehet një tjetër student.

Megjithatë, Ida, një nga vajzat që aktualisht është në marrëdhënie pune, ka arritur ta marrë me sukses këtë provim.

“Provimi ishte i lehtë, mjaftonte të mësoje 2-3 javë, të kishe njohuritë bazë dhe mund ta merrje me sukses. Unë kam marrë 75% të pikëve nga 100 që ishin gjithsej”, tregon Ida.

Vetë studentët e shohin këtë provim-licensë si një avantazh më shumë në favorin e tyre: “Mjekët jo të aftë që dalin nga universitetet publike apo private selektohen më pas nga tregu i punës, nga vetë pacienti, i cili e dallon mjekun e mirë. Mendoj se provimi është një filtër që përzgjedh mjekët e aftë nga të paaftët.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA