Emiratet, linjë të re nafte

15/02/2012 00:00

Në valën e përshkallëzimit të retorikave me Perëndimin, Irani vazhdimisht ka kërcënuar se do të luajë njërën prej kartave më të forta që ka: mbylljen e Hormuzit, veprim të cilit shumë i druhen për faktin e thjeshtë se përmes kësaj ngushtice kalon rreth 40% e naftës se tregtuar sot në botë.

Bllokimi i rrugës detare me rëndësi strategjike do të conte në një vrapim të cmendur të naftës dhe kuotimit të saj. Në ekonominë globale, ndikimi do të ishte mëse i dukshëm.

Por shtetet arabe duket se nuk kanë ndërmend të rrinë duarkryq e të presin vendimet e Teheranit. Një prej vendeve prodhuese të “arit të zi” në Gjirin Persik, Emiratet e Bashkuara Arabe, njoftoi se po cel një tjetër rrugë transporti. Një tubacion i ri, thotë Zëri i Amerikës, i aftë të tërheqë rreth 1.5 milion fuçi naftë në ditë nga fushat naftëmbajtëse të Abu Dabit deri në brigjet e Oqeanit Indian, do të futet në punë brenda muajit qershor.

Emiratet prodhojnë faktikisht rreth 2.5 milionë fuçi në ditë. Tubacioni në ndërtim e sipër shërben vetëm për këtë vend. Prodhuesve të tjerë, Kuvajtit, Arabisë Saudite e Katarit do të duhet të mendojnë për zgjidhje të ngjashme nëse duan të mos mbeten në varësine e tekave të Iranit.

Por edhe për Republiken Islamike, një hap i tillë nuk do të ishte i lehtë, duke qenë se mbyllja e Hormuzit e prek dhe atë vetë. Iranianët janë të varur nga shkëmbimet tregtare në këtë ngushticë. Nën peshën e sanksioneve të fundit, Irani ka përjetuar inflacion të menjëhershëm dhe zhvlerësim të monedhës. Nga ana tjeter, sado e mirë të duket si alternativë, kostoja e lartë e bën ndërtimin e tubacioneve të paleverdisshëm krahasuar me transportin përmes Ngushticës. Por një hap i tillë vlen të shihet gjithmonë si mundësi, edhe pse si ajo më e fundit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA