Një burrë që mendohet të jetë iranian ka humbur të dyja këmbët nga
shpërthimi i një bombe të cilën po përpiqej t`ia lëshonte policëve në
kryeqytetin tajlandez, Bangkok.
Dy shpërthime të tjera u raportuan në të njëjtën lagje tregtare, shume e populluar e qytetit. Sipas policisë, një nga shpërthimet ndodhi në shtëpinë që personi i plagosur kishte marrë me qera me disa iranianë të tjerë.
Një prej tyre ka hedhur një bombë në një taksi. Muajin e kaluar, ambasada amerikane paralajmëroi për sulme të mundshme në Bangkok.
Episodet e dhunës atje vijnë vetëm një ditë pasi një seri atentatesh me bomba vunë në shënjestër diplomatë izraelitë në Indi dhe Gjeorgji. Kryeministrja tajlandeze Yingluck Shinawatra i bëri thirrje njerëzve të ruajnë qetësinë.
Një ekip ekspertësh po ekzaminon shtëpinë ku banonin të dyshuarit, e ku policia përdori pompat e ujit për të çaktivizuar një tjetër eksploziv të gjendur aty.
Top Channel