Siria, Kina: Nuk mbrojmë asnjë palë

14/02/2012 00:00

Kryeministri kinez Wen Jiabao ka deklaruar se Pekini nuk do të mbrojë asnjë palë në konfliktin në Siri.

Gjatë një vizite në Pekin, presidenti i Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy deklaroi se anëtarët e Këshillit të Sigurimit duhet të veprojnë ndaj Sirisë.

Nga ana e tij, zoti Wen deklaroi se parandalimi i luftës dhe kaosit në Siri është një çështje urgjente.

“Për të arritur këtë objektiv, Kina mbështet përpjekjet e vazhdueshme në bazë të kartave dhe parimeve të OKB-së. Ne jemi gati të intensifikojmë kontaktet me të gjitha palët në Siri dhe me komunitetin ndërkombëtar, duke luajtur një rol konstruktiv”, tha kryeministri.

“Por Kina në mënyrë absolute nuk do të mbrojë asnjë palë në këtë konflikt, përfshirë këtu qeverinë e Sirisë”, shtoi ai, në takimin ku ishte i pranishëm edhe presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso.

Kina dhe Rusia vunë veton kundër një rezolute për Sirinë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke shkaktuar reagimin e shefes për të drejtat e njeriut, që bëri përgjegjëse dy fuqitë për intensifikimin e dhunës.

Ditën e hënë, Navi Pillay deklaroi se vetoja e Rusisë dhe Kinës ka inkurajuar qeverinë e presidentit Assad që të kryejë krime mbi civilët në Homs.

Në një sesion special të Asamblesë së Përgjithshme, Pillay akuzoi qeverinë siriane se po ndërmerr një ofensivë gjithëpërfshirëse për të goditur opozitën.

Ajo tha se të paktën 300 persona janë vrarë në një sulm të kryer së fundmi në Homs dhe shtoi se numri në fjalë mund të vazhdojë të rritet në ditët në vijim.

Grupet e të drejtave të njeriut deklarojnë se qyteti i Homsit po vuan sulmet më të rënda dhe se bombardimet e fundit të qeverisë ishin brutale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA